UEFA, AFC dhe CONCACAF e kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me zhvillimet e fundit rreth FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino.
Në deklaratë, tri konfederatat theksojnë se futbolli nuk i përket një individi apo një institucioni të vetëm, por lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave dhe të gjitha institucioneve që e kanë përgjegjësinë për ta mbrojtur të ardhmen e këtij sporti.
“Futbolli është pasioni më i madh i përbashkët në botë. Ai nuk i përket asnjë individi dhe asnjë institucioni. Ai u përket lojtarëve, tifozëve, klubeve, federatave anëtare dhe çdo institucioni të ngarkuar me mbrojtjen e së ardhmes së tij”, thuhet në deklaratë.
UEFA, AFC dhe CONCACAF e pranojnë se futbolli ka shënuar rritje të madhe gjatë dekadës së fundit, por theksojnë se ky progres nuk është rezultat i punës së një individi.
Sipas tyre, zgjerimi i turneve, caktimi i vendeve pritëse për Kupat e Botës 2030 dhe 2034 dhe shpërndarja e burimeve te federatat janë rezultate të arritura bashkërisht nga FIFA, konfederatat dhe federatat anëtare.
Tri organizatat e mohojnë gjithashtu se përplasja me FIFA-n lidhet me çështje financiare.
“Çështja nuk ka të bëjë me paratë. Konfederatat e kanë kërkuar tashmë një shpërndarje të përgjegjshme të rezervave të mëdha ekzistuese të FIFA-s, për t’i forcuar investimet në zhvillimin e federatave anëtare”, thuhet më tej.
Pika kryesore e deklaratës lidhet me integritetin e futbollit dhe mënyrën se si ai drejtohet.
“Udhëheqja në futboll nuk është pronë. Nuk ka të bëjë me mbajtjen apo pretendimin e pushtetit. Është një detyrë për t’i shërbyer familjes së futbollit që ta ka besuar atë autoritet”, theksojnë konfederatat.
Ato e kritikojnë FIFA-n për mënyrën se si u prezantua propozimi për shitjen e një pjese të Kupës së Botës te investitorët.
Sipas UEFA-s, AFC-së dhe CONCACAF-it, propozimi u paraqit në një kohë shumë të shkurtër, pa konsultim të mjaftueshëm dhe me një afat që nuk ua mundësonte federatave anëtare t’i shqyrtonin siç duhet kushtet.
“Ky nuk ishte thjesht një gabim procedural, por një shkelje themelore e besimit ndaj institucioneve që FIFA duhet t’i mbrojë”, thuhet në deklaratë.
FIFA ka deklaruar se do t’ia paraqesë Këshillit të FIFA-s një raport të plotë mbi këto zhvillime.
Megjithatë, tri konfederatat kërkojnë që hetimi të kryhet nga një palë plotësisht e pavarur.
Sipas tyre, një hetim i tillë nuk duhet të drejtohet nga vetë FIFA, stafi i saj apo persona të tjerë të përfshirë në botën e futbollit.
“Administrata e FIFA-s nuk duhet ta ketë asnjë rol në zhvillimin e hetimit”, theksojnë ato.
Në deklaratë kritikohet edhe një takim i zhvilluar në Marok, ku, sipas tri konfederatave, ishte i pranishëm vetëm një zyrtar i zgjedhur.
Asnjë anëtar i Këshillit të FIFA-s apo i federatave anëtare nuk ishte ftuar, ndërsa në takim morën pjesë zyrtarë të lartë të FIFA-s.
UEFA, AFC dhe CONCACAF thonë se kjo vetëm sa i ka shtuar shqetësimet rreth mënyrës së qeverisjes së organizatës.
“Ka heshtje aty ku duhet të ketë përgjegjësi dhe distancë aty ku duhet të ketë transparencë. Këto nuk janë cilësitë që futbolli i meriton nga udhëheqësit e tij”, thuhet në deklaratë.
Në fund, tri konfederatat kërkojnë unitet në futboll dhe një udhëheqje që t’i shërbejë sportit, e jo të përpiqet ta dominojë atë.
Deklarata është nënshkruar nga presidenti i AFC-së, Salman bin Ibrahim Al Khalifa, presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani, dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, së bashku me sekretarët e përgjithshëm të tri konfederatave. /Gazeta Express













