Deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e ka dhënë një afat të ri se kur mund të konstituohet Kuvendi i Kosovës kur u pyet nga gazetarët për thirrjen e një seance të re.
Ajo këtë përgjigje e dha nga Kuvendi i Kosovës ku dyert iu hapën mërgimtarëve për vizitë.
“Në bazë të përvojës së mëhershme, domethënë edhe në vitin e kaluar edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë brenda 30 ditëve, ka qenë kur janë krijuar kushtet. Besoj se nëse shikohet me fillimin e seancës, të paktën prej asaj dite në vazhdim mund të jenë 30 ditë, por prapë kjo është subjekt i interpretimit edhe të drejtuesit të seancës edhe organit kompetent, në këtë rast nëse ka dyshime Gjykatës Kushtetuese”.
Por, Kusari-Lila thotë se dialogun mes partive politike e do “më shumë se çkado tjetër”.
“Unë uroj që në një afat të shkurtër të rikthehet fryma e dialogimit dhe diskutimit dhe dakordimit politik për organet e vendit”.
“Nxitje” për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues kanë dhënë edhe figura të tjera të Vetëvendosjes, përfshirë u.d. presidenten Albulena Haxhiu, si dhe ministrin në detyrë të Jashtëm, Glauk Konjufca.













