Profesori i gjuhë dhe letërsisë shqipe, Miftar Kurti nga Mitrovica i cili para disa vitesh merrte pjesë në aktivitetet politike të LVV-së së bashku me Albin Kurti, ka reaguar ashpër kundër qasjes së kryeministrit dhe ministrave të tij ndaj mësimdhënësve, raporton “Veriu.info”.
Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se Kurti po i injoron mësimdhënësit dhe po i shpërfill kërkesat e tyre.
Postimi i plotë
DY FJALË KRYEMINISTRIT ALBIN KURTI NGA NJË ish-MËSIMDHËNËS I VITEVE ’90
Kryeministër Albin Kurti e ju ministra!
Ju që po i injoroni mësimdhënësit, që po i shpërfillni kërkesat e tyre, që po i leni pa paga e po shpifni kundër tyre; që po i akuzoni ata vetëm pse po i kërkojnë të drejtat e tyre; që po përpiqeni t’i ndani nxënësit nga mësimdhënësit, në vend se t’ua pakësoni dhimbjet nga plagët që ua pati shkaktuar armiku në kohë robërie, po u hapni plagë të reja atyre në kohë lirie, plagë të mëdha po i hapni atdheut. Kështu po e përbuzni dhe po e shpërdoroni lirinë!
Kështu po m’i kujtoni do kohë të liga.
Do dhimbje të mëdha që nuk harrohen.
Do dhimbje speciale, do kohë speciale.
Vitin (shekullin) e mbrapshtë. /Veriu.info












