Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET dhe 13 juta rhanizata të tjera joqeveritare i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve sipas detyrës zyrtare, lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25, raporton Gazeta Online Veriu.info.
AVONET ka njoftuar se kërkesa është dorëzuar pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, të certifikuara më 8 korrik 2026, afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht 2026.
Në Aktgjykimin KO124/25, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues dhe se brenda këtij afati duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit. Sipas këtij interpretimi, mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar.
Në këtë rast, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht 2026 nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj është caktuar për 8 gusht 2026.
AVONET dhe organizatat e tjera nënshkruese i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.
Kërkesa është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën që ndiqet në rastet kur lind çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës. Në këtë kuadër, organizatat kanë kërkuar që, nëse konstatohet moszbatimi i Aktgjykimit KO124/25, Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e Aktvendimit për moszbatim, gjegjësisht për mospërmbarim dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë që i konsideron të nevojshëm sipas kompetencave dhe procedurave në fuqi.
AVONET thekson se kërkesa e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese synon që çështja e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe procedurave të përcaktuara me rendin juridik. Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa e AVONET:













