Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me situatën e tensionuar në Kuvendin e Kosovës.
Gashi ka thënë se situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa, sipas tij, po vazhdon insistimi për bllokimin e institucionit.
“Situata në Kuvend po shkon drejt përplasjeve fizike, ndërsa insistimi për bllokimin e tij vazhdon”, ka shkruar Gashi.
Ai ka kritikuar mungesën e një pozicionimi të qartë të LDK-së në këtë situatë.
“Në këtë moment kritik, po mungon një pozicionim i qartë dhe i fortë i LDK-së. Në fakt, Kosovës po i mungon LDK-ja. Po i mungon fryma Rugoviane”, ka deklaruar ai.
Sipas Gashit, në një situatë kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i nevojiten dialogu, maturia dhe funksionimi i institucioneve.
“Sepse kur institucionet bllokohen dhe tensionet rriten, Kosovës i duhet më shumë dialog, maturi, shtet dhe Republikë. Është koha që LDK-ja të flasë”, ka përfunduar Gashi.













