Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas përplasjeve dhe tensioneve të krijuara sot në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka thënë se pamjet e krijuara në sallën e Kuvendit nuk janë ato që meritojnë të shohin qytetarët e Kosovës dhe bashkatdhetarët në diasporë.
Kusari-Lila i ka cilësuar si të papranueshme përplasjet, fyerjet dhe çdo formë të sjelljes së dhunshme, pavarësisht dallimeve politike.
“Sot, Kuvendi i Kosovës nuk përcolli imazhin që qytetarët tanë, e aq më pak bashkatdhetarët tanë në diasporë, meritojnë të shohin. Përplasjet, fyerjet dhe çdo formë e sjelljes së dhunshme në sallën e Kuvendit janë të papranueshme dhe të paarsyetueshme, pavarësisht dallimeve politike”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, presioni dhe sulmet verbale apo fizike për thirrjen e seancës janë kundërproduktive dhe dëmtojnë imazhin e institucionit.
Ajo u ka bërë thirrje liderëve të partive politike që t’i udhëzojnë deputetët e tyre të përmbahen nga veprimet që cenojnë dinjitetin e Kuvendit dhe integritetin e deputetëve.
“Prandaj, u bëj thirrje liderëve të partive politike që t’u kërkojnë deputetëve të tyre të përmbahen nga çdo veprim i dhunshëm apo sjellje që cenon dinjitetin e Kuvendit dhe integritetin personal të kolegëve deputetë. Askush nuk duhet të ndihet i autorizuar ta kalojë këtë vijë. Për ta nxjerrë Kosovën nga ky cikël i pafund i përplasjeve, liderët politikë duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të gjejnë rrugën për tejkalimin e ngërçit politik. Kjo kërkon vullnet politik, përgjegjësi dhe gatishmëri për të bërë kompromiset e nevojshme në interes të vendit”.
Postimi i plotë:












