Salla e Kuvendit të Kosovës është shndërruar në arenë përplasjesh të mërkurën. Disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës janë futur në sallën e Kuvendit, duke bërë thirrje për vazhdimin e seancës konstituive. Situata është përcjellë me tensione ndërmjet deputetëve të këtyre dy partive dhe atyre nga radhët e Vetëvendosjes, të cilëve u është pamundësuar zhvillimi i aktiviteteve të planifikuara me mërgimtarët dhe të rinjtë. Në disa raste ka pasur hedhje të ujit, shtyrje fizike dhe pengim të adresimit për gazetarë e qytetarë. Akuzat e ndërsjella kanë vazhduar edhe pas “dramës” në Kuvend.
Hapësira e Kuvendit të Kosovës të mërkurën u shndërrua në arenë përplasjesh verbale e fizike mes deputetëve, ndërkohë që po mbahej aktiviteti me bashkatdhetarët.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës të pranishëm në sallë kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj.
Tensionet nisën kur deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, pengoi u.d. e presidentit Albulena Haxhiun, ndërsa ajo kishte mbërritur aty bashkë me disa mërgimtarë dhe po përgatitej të mbante një konferencë për media.
“Dje, në momentin kur PDK-ja na len, na bën të mundur të mbajmë konferencë dal, nëse jo vazhdoni”, ka deklaruar Haxhiu.
Tensionet vazhduan edhe kur brenda hapësirës së Kuvendit hyri deputetja Donika Gërvalla. Asaj, deputetë të PDK-së i kërkuan që të thirret seanca konstituive brenda afatit ligjor.
“Thirre seancën”, ishin thirrjet drejtuar asaj, për t’u pasuar me brohoritjet “UÇK, UÇK… shko në teatër, shko. Thirre seancën, veç seancën…”.
Derisa kërkohej që të thirrej seanca, deputetja Ganimete Musliu hodhi ujë në drejtim të Gërvallës.
Përplasjet vazhduan kur brenda sallës hyri deputetja Arbërie Nagavci, për çka u pengua nga deputetë të PDK-së e Aleancës. Madje, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, e ka shtyrë Nagavcin, teksa po përpiqej të futej në sallën e Kuvendit.
Ujit nuk i shpëtoi as deputetja Arbërie Nagavci, e as Ardian Gola.
Deputetja Bytyqi hodhi edhe letra në drejtim të Nagavcit. E në përplasje u përfshinë edhe disa deputetë të tjerë.
Gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rrustemi. Përplasjet vazhduan edhe mes deputetëve Ardian Gola e Përparim Gruda.
Ky “qërim hesapesh” mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës çoi në përplasje verbale edhe mes qytetarëve që ndodheshin brenda sallës gjatë aktivitetit për mërgimtarët.
Reagimet për zhvillimet në skenën politike pas përplasjeve në Kuvend kanë vazhduar në rrjetet sociale.
Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një postim në Facebook ka shkruar se ish-opozita është duke përdorur dy standarde. Ajo ka thënë se VV-ja mund ta konstituojë Kuvendin edhe e vetme, por kërkon marrëveshje për presidentin.
“Ajo që ndodhi dje në Kuvend, me zhurmën dhe pengimin e opozitës, shpjegohet me dy gjëra: Opozita e dërgoi vendin në zgjedhje në qershor duke thënë: ‘E keni konstituuar Kuvendin, e keni formuar Qeverinë, tash mos kërkoni nga ne të bëjmë marrëveshje për presidentin. Është dashur që fillimisht të merremi vesh për presidentin’. Tash, kur ne po themi të merremi vesh për presidentin, ta konstituojmë Kuvendin dhe ta formojmë Qeverinë, opozita po thotë: ‘Jo, nuk duam’”, ka shkruar ajo.
Pa marrëveshje me opozitën për çështjen e presidentit, sipas Nagavcit shkuarja në zgjedhje është e pashmangshme. E këtë, thotë ajo, po e kërkojnë ish-partitë opozitare.
“Ne mund ta konstituojmë Kuvendin dhe ta formojmë Qeverinë edhe pa opozitën, sepse populli na ka votuar që ta bëjmë edhe vetë. Por ne po duam të merremi vesh për presidentin, sepse pa marrëveshje shkojmë në zgjedhje. Opozita, ndërkaq, po do që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi, të nisë të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe, në fund, të shkojmë përsëri në zgjedhje. Pra, ne po kërkojmë marrëveshje për ta shmangur krizën, ndërsa opozita po refuzon marrëveshjen sepse po do zgjedhje”, ka shkruar ajo.













