Fehim Sali është arrestuar të enjten nën dyshimin për spiunazh pas një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq, shkruan Insajderi.
Ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit.
Sali më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentit. Ai ishte emëruar në vitin 2022, me mandat dy-vjeçar

Të arrestuarit gjatë ditës iu është publikuar një fotografi bashkë me zëvendëskryeministrin serb, Ivica Daçiq.

Sali ishte pezulluar nga puna gjatë 2021-ës si mësues në shkollën fillore “9 Maji” në fshatin Rapçë të Dragashit në sistemin paralel arsimore.
Kjo, pasi që ai kishte garuar në listën e subjektit goran, Zajeno. Ai kishte akuzuar Listën Serbe që e kishte suspenduar atë nga puna, si dhe kishte thënë se kishte marrë shumë kërcënime.
“Kam pasur shumë telefonata, kërcënime. Kam edhe audio-incizime, kam pasur edhe mesazhe në Viber që vinin nga instanca të ndryshme, që unë të tërhiqesha. Ky ishte synimi i tyre”, kishte deklaruar ai.













