Administrata e Kuvendit të Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e krijuar të dielën, pasi deputetët e PDK-së u paraqitën në Kuvend dhe kërkuan vazhdimin e seancës konstituive.
PDK-ja i kishte bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që seanca të vazhdonte sot nga ora 11:00, por deputetët e kësaj partie i gjetën dyert e sallës së seancave plenare të mbyllura.
Në një njoftim në Facebook, Administrata e Kuvendit ka sqaruar se për datën 16 gusht nuk kishte pranuar asnjë njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.
“Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, thuhet në njoftim.
Administrata ka theksuar se kjo nuk përbën vendim politik dhe as qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve apo grupeve parlamentare.
Sipas njoftimit, me pranimin e komunikimit zyrtar për mbajtjen e një seance, Administrata do të ndërmarrë veprimet përkatëse dhe do të ofrojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike.













