Ministri në detyrë i Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka thënë se shteti nuk ndërtohet duke u pajtuar me status quo-në, por duke ushtruar përgjegjësitë e tij.
“Prania e Policisë së Kosovës pranë urës së Ibrit dhe garantimi i qarkullimit të lirë e të sigurt për të gjithë qytetarët është dëshmia më e mirë se Republika e Kosovës sot ka kapacitet, autoritet dhe institucione që e ushtrojnë mandatin e tyre në çdo cep të territorit të saj.
Për vite me radhë na është thënë se “nuk bëhet”. Se Veriu nuk preket. Se ura e Ibrit është vijë që nuk duhet kaluar. Se vendosja e rendit dhe ligjit rrezikon stabilitetin. Madje, për vite të tëra, frika dhe status quo-ja na janë shitur si maturi politike.
Por tashmë u dëshmua e kundërta: Bëhet. Bëhet me vendosmëri, me institucione funksionale, me ligj dhe në bashkërendim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Ajo që dikur paraqitej si sfidë e patejkalueshme, sot po bëhet normalitet. Sepse normalitet është që qytetarët të lëvizin lirshëm. Normalitet është që Policia e Kosovës të kujdeset për sigurinë në tërë territorin e Republikës. Dhe normalitet është që një urë të bashkojë njerëzit, jo t’i ndajë ata” shkruan Hoti në reagim.












