Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person në Jarinje, në kuadër të hetimeve për një rast të mëhershëm të dyshuar për “Falsifikim të dokumenteve”.
Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka arrestuar të dyshuarin me inicialet I.S., i lindur në vitin 1985.
Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit në Leposaviq. Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar 45 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe disa pjesë të uniformës.
Ndërkohë, në cilësinë e provave materiale lidhur me rastin e falsifikimit të dokumenteve, është sekuestruar edhe një telefon personal i tipit Redmi 5G.
Pas intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari është dërguar në ndalim prej 48 orësh, me vendim të prokurorit.
Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë.













