Saime Isufi, veprimtare e çështjes kombëtare dhe bashkëshorte e veprimtarit Kadri Zeka, ka rrëfyer për angazhimin e saj të hershëm në veprimtarinë ilegale dhe krijimin e grupit “Shqiponjat e Arta” në Gjilan në vitin 1975.
Në një intervistë për emisionin “Dosje”, te moderatori i Debat Plus në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, Isufi tregoi se frymëzimin e parë për angazhimin e saj e kishte marrë nga familja, veçanërisht nga babai i saj, të cilin e përshkroi si patriot dhe pjesëmarrës në Luftën e Kikës.
Sipas saj, babai kishte ndihmuar dhe strehuar luftëtarë shqiptarë dhe, për shkak të veprimtarisë së tij, kishte vuajtur edhe burgimin. Rrëfimet e tij kishin ndikuar që fëmijët të rriteshin me një ndjenjë të theksuar atdhedashurie.
“Na ushqeu me dashurinë për vendin dhe, sigurisht, duke u rritur filluam të mendonim, të vepronim, të bënim diçka”, ka rrëfyer Isufi.
Ajo tha se angazhimi i saj konkret nisi derisa ishte nxënëse e vitit të tretë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, në vitin 1975. Në atë periudhë, sipas saj, në mesin e nxënësve qarkullonin këngë patriotike dhe libra të ndaluar nga regjimi jugosllav.
Një prej veprave që kishte ndikuar fuqishëm tek ajo dhe bashkëmoshatarët ishte “Gjarpërinjtë e gjakut” e Adem Demaçit.
Isufi tregoi se libri duhej të lexohej brenda një nate dhe më pas t’i dorëzohej menjëherë personit tjetër, për shkak të rrezikut nga zbulimi dhe përcjellja nga organet e atëhershme të sigurisë.
Nga ky rreth të rinjsh, sipas saj, u krijua një grup prej nëntë personash.
“Ne organizuam vetë grupin dhe e quajtëm ‘Shqiponjat e Arta’”, tha Isufi.
Ajo tregoi se grupi kishte nxjerrë edhe dy numra të një fletushke me poezi dhe përmbajtje patriotike, në përputhje me mundësitë dhe nivelin e tyre të atëhershëm të organizimit.
Në mesin e anëtarëve të grupit, Isufi përmendi Qamil Isufin, Hamdi Zymberin dhe Remzush Demin, si dhe vajza të tjera nga Gjilani. Sipas saj, kryetar i grupit ishte Qamil Isufi.
“Shqiponjat e Arta” të Gjilanit kishin krijuar lidhje edhe me një grup me të njëjtin emër në Ferizaj, i cili, sipas rrëfimit të Isufit, udhëhiqej nga Xhabir Morina.
Isufi e lidhi krijimin e grupit edhe me arrestimet dhe dënimet e veprimtarëve shqiptarë gjatë vitit 1975. Në veçanti, ajo përmendi Rexhep Malën dhe qëndresën e tij në burg, e cila kishte shërbyer si shtysë për të rinjtë që të vazhdonin veprimtarinë.
“Përderisa ata u burgosën, ne të vazhdonim rrugën e tyre. Kështu filluam si të rinj”, tha ajo.
Megjithatë, grupi kishte rënë relativisht shpejt në sy të autoriteteve, pasi anëtarët nuk kishin përvojë në veprimtari konspirative.
“Ne u dekonspiruam faktikisht shumë shpejt, sepse nuk dinim të fshiheshim”, rrëfeu Isufi.
Sipas saj, nëntë anëtarët zhvillonin takime nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit, ndërsa disa prej mbledhjeve i kishin mbajtur edhe në stadiumin e Gjilanit. Lëvizja e tyre si grup kishte bërë që të binin në sy.
Aktiviteti i grupit më pas ishte ndërprerë pa pasoja të rënda për anëtarët. Pas përfundimit të gjimnazit, ata ishin shpërndarë për të vazhduar studimet, duke i dhënë fund kësaj forme të organizimit.













