Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armatimi në pjesën veriore të vendit është gjetur në 12 lokacione të ndryshme.
Në një konferencë për media nga Qendra e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tha se këto armë do të ekzaminohen për t’u përcaktuar përdorimi i tyre.
“Armatimi është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve tjera kriminale”, tha Sveçla.
Ai tha se Kosova kërkon me ngulm “përgjegjësi për urdhërdhënësit, organizatorët, dorasit, ata që fshehën trupat e viktimave, si dhe ata që fshehën informata mbi vendndodhjen e viktimave të këtyre masakrave”.
“Në tri lokacione janë gjetur mbetjet mortore të 23 personave. Në lokacionin e parë janë gjetur 13 mbetje, në të dytin 4 dhe në të tretin 6 mbetje mortore”, deklaroi ministri në detyrë i Punëve të Brendshme.













