“Nuk isha i sigurt a po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim, apo të dyja së bashku”.
Kështu e ka përshkruar ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga qelia e tij në Hagë, vendimin për nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujes, për të cilin tha se ishte më i rëndi dhe më krenari në jetën e tij.
“Vendimi për pranimin e marrëveshjes në Rambuje ishte prej më të rëndëve, por edhe më krenari në jetën time. Pothuajse i pamundshëm, por i domosdoshëm. Nuk isha i sigurt a po nënshkruaja lirinë e Kosovës apo fundin tim, apo të dyja së bashku. Besimi im anonte kah të dyja: LIRIA DHE JETA”, ka rrëfyer Thaçi në një intervistë për emisionin “Debat Plus”, që transmetohet në RTV Dukagjini.
Thaci ka rrëfyer edhe pjesën e kthimit në Kosovë, ku kishte ardhur për t’u konsultuar me bashkëpunëtorë dhe personalitete të ndryshme, për të marrë një vendim lidhur me pranimin ose jo të marrëveshjes.
Ai ka treguar edhe për disa biseda që i ka zhvilluar me ish-Presidentin Ibrahim Rugova gjatë negociatave në Rambuje.
Rugova, tregon Thaçi, e kishte ftuar tri herë në dhomën e tij në Kështjellën e Rambujesë, zakonisht në mbrëmje, kur pjesëtarët e tjerë të delegacionit ishin duke darkuar.
Në njërën prej këtyre bisedave, sipas Thaçit, Rugova i kishte thënë se duhej të kishte kujdes nga disa prej njerëzve të tij, por njëkohësisht e kishte inkurajuar që të vazhdonte me kërkesat e delegacionit shqiptar.
“Po më duhet me pasë pak kujdes prej këtyre të mive, po flasin kapak si tepër nëpër korridore, syri dhe shpirti i keq është çdokund, po ti grahi me kërkesat tuaja, unë jam gati”, ka rrëfyer Thaçi se i kishte thënë Rugova.
Thaçi ka treguar gjithashtu se, në përpjekje për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për vendimin që duhej të merrej, kishte zhvilluar edhe një takim me shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare në banesën e tij në Paris.
Për këtë takim, Thaçi ka rikthyer pjesë nga rrëfimi i Kadaresë në librin “Ra ky mort e u pamë”.
“Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi kishte shprehur dëshirën të më takojë… Një copë herë do të bisedojmë kokë më kokë. Thaçi dukej i paqetë”, shkruante Kadare për atë takim.
Në vazhdim, Kadare e përshkruan edhe bisedën për rrugën që, sipas tij, duhej të ndiqte lëvizja për çlirimin e Kosovës dhe lidhjen e saj me Evropën.
“Në mbrëmje vonë, Hashim Thaçi kishte shprehur dëshirën të më takojë…Një copë herë do të bisedojmë kokë më kokë. Thaçi dukej i paqetë. …Ata (luftëtarët) me këtë gjest, me këtë këshillim, tregojnë se,… e kanë një dozë idealizimi, një përmasë që i lidh me të ardhmen, me qytetërimin evropian… Kam shprehur mendimin se lëvizja për çlirimin e Kosovës duhet të jetë pjesë e emancipimit evropian”, e përshkruan Kadare takimin me Thaçin.
Marrëveshjen e Rambujes e kishte nënshkruar vetëm pala shqiptare. Serbia refuzoi.
Si pasojë, më 24 mars 1999, NATO nisi bombardimet ndaj caqeve të policisë dhe ushtrisë serbe, të cilat zgjatën për 78 ditë, derisa Serbia nënshkroi kapitullimin.











