Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten mbrëma në Prizren, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një goditje me thikë.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 23:45. Ekipet emergjente i kanë dhënë ndihmën e parë të miturit në vendngjarje dhe e kanë transportuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Megjithatë, për shkak të plagëve të rënda, 14-vjeçari ka ndërruar jetë në spital.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi, bëri me dije se pak më larg vendit të ngjarjes është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari, një 17-vjeçar. Te ai është gjetur dhe sekuestruar thika që dyshohet se u përdor në këtë rast.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari i mitur është ndaluar për 24 orë. Policia njofton se as viktima dhe as i dyshuari nuk kanë pasur raste të mëparshme të regjistruara në evidencat policore.













