Një superkompjuter ka simuluar këtë sezon të Ligës së Kampionëve 10,000 herë për të parashikuar se cili klub ka shanset më të mëdha për ta ngritur trofeun më prestigjioz të Evropës.
Të enjten u hodh shorti për Championsin 2026/27 në Monaco, ndërsa kampioni në fuqi, Paris Saint-Germain, përgatitet të mbrojë kurorën pasi mposhti Arsenalin në finalen e sezonit të kaluar.
Skuadra e Luis Enriques do të përballet në shtëpi me Barcelonën, Romën, Galatasarayn dhe Slovan Bratislavën, ndërsa në transfertë do të ketë ndeshje të vështira ndaj Manchester Cityt, Aston Villas, Villarrealit dhe skuadrës së Serie A, Comos.
Arsenali, finalist i sezonit të kaluar, ndërkohë do të presë Real Madridin, Borussia Dortmundin, Lille dhe Sabah, ndërsa do të udhëtojë te Bayern Munichu, Real Betis, Napoli dhe Slavia Prague.
Pra, cili klub do ta fitojë Championsin këtë sezon?
Këtë javë, një superkompjuter ka kryer 1,000 simulime të fazës së ligës së shortuar rishtazi dhe të çdo raundi pasues për të parashikuar fituesin.
Duke vlerësuar rezultatet e ndeshjeve bazuar në vlerësimet e forcës së skuadrave, formën e fundit në kampionatet vendase dhe Evropë, si dhe probabilitetet e bazuara në tregun e basteve, modeli parashikon që PSG-ja do ta përfundojë fazën e ligës në krye të tabelës me 36 skuadra.
Në fakt, parizienët parashikohen të mposhtin Arsenalin 2-1 në finale, duke përsëritur rezultatin e finales së Championsit të sezonit të kaluar.
Rruga e parashikuar e PSG-së drejt finales përfshin një fitore ndaj Bayern Munichut në çerekfinale dhe një triumf ndaj Real Madridit, 15 herë kampion i Evropës, në gjysmëfinale, përpara finales së madhe në Estadio Metropolitano të Madridit.
Siç u përmend më lart, PSG-ja parashikohet ta mbyllë fazën e ligës në vendin e parë me 19 pikë.
Ndërkohë, finalisti Arsenali renditet i dyti me 18 pikë, ndërsa Bayern Munich (17 pikë), Barcelona (17), Real Madrid (17), Manchester City (16), Liverpool (16) dhe Interi (15) plotësojnë tetë vendet e para.
Alex Kostin, zëdhënës i “British Gambler”, kompanisë që realizoi modelin, ka shpjeguar gjetjet e tyre.
“Shorti i Paris Saint-Germainit në Champions nuk është aspak i lehtë, por superkompjuteri ende e konsideron PSG-në si skuadrën më të fortë në kompeticion”, tha ai.
“Ata parashikohen ta përfundojnë fazën e ligës në krye dhe më pas të kalojnë një rrugëtim brutal në fazën me eliminim direkt, ku do të përballen me Bayern Munichun dhe Real Madridin për të arritur në finale.
“Arsenali është skuadra angleze me pozicionimin më të mirë në model. Ata kanë marrë disa përballje të mëdha në fazën e ligës, veçanërisht ndaj Bayern Munichut në transfertë dhe Real Madridit në shtëpi, por simulimet u japin atyre një shans të madh për ta mbyllur në tetë vendet e para dhe për të shmangur ‘play-offin’ e shkurtit.
“Finalja më e shpeshtë është përsëri një përsëritje e finales së sezonit të kaluar, me PSG-në që sërish mposht Arsenalin – këtë herë me rezultatin e parashikuar 2-1”.
Manchester Unitedi, nga ana tjetër, parashikohet të ketë vështirësi në Evropë këtë sezon, me klubin që nuk pritet të sigurojë një vend në fazën e 1/8 së finales.
Skuadra e Michael Carrickut do të presë Bayern Munichun në “Old Trafford” në fazën e ligës. Gjithashtu, United do të luajë në shtëpi ndaj AS Romës, RB Leipzigut dhe Sabahut, skuadrës që garon në Premierligë të Azerbajxhanit nën drejtimin e ish-konkurrentit të emisionit “Kush dëshiron të bëhet milioner?”, Valdas Dambrauskas.
Sa u përket ndeshjeve në transfertë, Atlético Madridi është një tjetër kundërshtar i Unitedit nga vazoja e parë, ndërsa Sporting, Villarreal dhe Como e Cesc Fàbregasit do ta presin gjithashtu skuadrën angleze, në atë që pritet të jetë një short i vështirë.












