Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka bërë thirrje për rikthimin e debatit politik dhe bashkimin brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke theksuar se kundërshtari politik nuk duhet të shihet si armik.
Përmes një postimi në Facebook, Gashi ka kujtuar debatet e tij ndër vite me figura të ndryshme politike, përfshirë Berat Buzhalën, Baton Haxhiun, Memli Krasniqin, Vlorën Çitakun, Petrit Selimin, Mimoza Kusarin, Albin Kurtin, Glauk Konjufcën e të tjerë.
Ai ka thënë se, pavarësisht se debatet shpesh kanë qenë të ashpra, pas përballjeve politike kundërshtari ka mbetur kundërshtar dhe jo armik.
“Sot, me shumicën prej tyre kanë 7-8 vite që nuk jemi takuar. Mund të jemi parë rrugës, por jo ulur bashkë. Dhe, sinqerisht, me shumë kënaqësi do të ulesha për një debat me ta, me apo pa kamera, media e presion”, ka shkruar Gashi.
Sipas tij, politika duhet të rikthehet te idetë, argumenti dhe respekti, duke shmangur urrejtjen dhe demonizimin.
Gashi e ka lidhur këtë mesazh veçanërisht me zhvillimet brenda LDK-së, duke thënë se partia duhet të mbetet “shtëpia e debatit, pluralizmit dhe mendimit të lirë”.
Ai ka bërë thirrje që brenda LDK-së të ketë garë, por jo luftë, kritikë pa përçarje dhe ambicie pa e vendosur egon mbi interesin e përbashkët.
“Unë besoj se nuk ka njeri në LDK, apo përtej saj, me të cilin nuk mund të flas dhe nuk mund të bashkëpunoj. Sepse LDK-ja është më e madhe se secili prej nesh”, ka deklaruar ai.
Në fund, Gashi ka kërkuar që LDK-ja të bashkohet rreth vlerave të saj dhe të forcohet për t’u rikthyer si forcë fituese.
“Të mos kërkojmë kush është kundër nesh. Të kërkojmë çfarë mund të bëjmë bashkë. Debat po. Urrejtje jo. Kundërshtarë po. Armiq jo. LDK-ja mbi egot tona. Kosova mbi të gjithë”, ka shkruar Gashi.
Në një postscriptum, ai ka lënë të hapur edhe mundësinë për një debat me kryeministrin Albin Kurti, duke shkruar: “Një debat i hershëm me Albinin.”
https://www.facebook.com/share/p/1Axt7XnovR/?mibextid=wwXIfr













