As sot, me 8 shtator, nuk ka nisur mësimi në shkollat e Kosovës.
Greva në arsim e nisur me 25 gusht po vazhdon ende. Përpos në arsim, grevë po mbahet edhe në administratë.
Sindikalistët kanë kërkesa të cilat thonë se duhet të plotësohen në mënyrë që të ndërpritet greva dhe të nis puna në arsim e administratë.
SBASHK-u ka bërë thirrje që Qeveria e Ministria e Arsimit t’i takojë atë dhe të dialogohet që të gjendet zgjidhja.
Madje, kryetari i SBASHK-ut dhe i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, ka thënë se i kanë dërguar 82 shkresa ne kërkesë që të kishin një takim me kryeministrin Albin Kurti, por ky i fundit asnjëherë nuk iu përgjigj.
“Qeveria heshti, me fjalë nga larg, me deklarata të pamatura bëri të ndodhë kjo që është. Lutje e lutje, BSPK në arkiva ka 82 shkresa për takime, duke pritur takime dhe dialog, për t’i ikur asaj që më 1 shtator të mos kishim grevë. Mjafton një ditë e vullnetit të mirë e qeverisë, që të ulemi e të bisedojmë, dialogu është çelësi i zgjidhjes së kësaj pune. Ata harxhojnë kot kohë duke takuar edhe grupe të vogla të njerëzve e jo me ne, po të ulen me ne dhe të fillojnë të realizohen kërkesat tona, situate mund të ndryshojë. Lutje e lutje dhe jemi në pritje që të kemi dialog, por po them pa dialog, kjo çështje do të vazhdojë kështu. Nuk kemi të drejtë ne që udhëheqim Sindikatat, të mos dëgjojmë kërkesat e tyre”, ka thënë Jasharaj.
Por, pavarësisht thirrjeve të grevistëve ndaj qeverisë, kjo e fundit duket se nuk mendon t’i ftojë në takim.
Madje, zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, ka thënë të mërkurën për Gazeta Blic se dialogu me kërcënime dhe kushtëzime nuk është dialog.
“Ne synojmë trajtim dhe zgjidhje sistematike të sfidave të sistemit të arsimit. Synimet dhe planet tona nuk mund të pengohen e kushtëzohen nga kërkesa arbitrare. Dialogu me kushtëzime dhe kërcënime nuk është dialog. Mësimi duhet të fillojë sa më parë në të gjitha shkollat e vendit”, ka thënë Kryeziu.
Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani vazhdimisht ka bërë thirrje që të ketë dialog dhe të gjendet zgjidhje, pasi nxënësit duhet të nisin mësimin.
Ajo ka mbajtur takime me sindikatat lidhur me grevën.
Duket se tani ka mbetur që Qeveria ta bëjë hapin që t’i takojë sindikalistët, derisa këta të fundit janë shprehur të gatshëm për dialog dhe kanë bërë thirrje në drejtim të Kryeministrit Kurti qa ta nis atë.
Padyshim që në gjithë këtë janë përfshirë pozitë, opozitë, shoqëri civile e analistë, ku të gjithë kanë shprehur qëndrimet e tyre por e kundër grevës.
Nga shoqëria civile ka pasur thirrje që Qeveria të dialogojë me sindikatat, pasi ajo e ka për detyrim atë.
Në gjithë këtë mes, duket se pasojat më të mëdha i kanë fëmijët, të cilët ende nuk e kanë nisur mësimin në shkolla, edhe pse do të duhej ta bënin qysh para një jave.












