U kandidua për kryetar të VV-së në Prizren, përjashtohet nga gara për shkak se është kundër martesave të gjinisë së njëjtë, kështu thotë Beni Kizolli aktivist i njohur i VV-së në Prizren.
Beni Kizolli, aktivist i njohur nga Prizreni, e ish-drejtor i Urbanizmit gjatë kohës së kryetari Mytaher Haskuka, ditë më parë zyrtarizoi kandidimin e tij për kryetar të VV-së në Prizren.
Por, në një status në Facebook, ai ka treguar se pranoi një telefonatë nga organet e partisë, duke i kërkuar qëndrimin e tij për martesat e gjinisë së njëjtë, e për të cilin z.Kizolli ishte kundër.
“Të hënën, pranova një telefonatë, prej një zyrtari të KZP,-së, i cili më njoftoi për rrjedhat dhe më kërkoi sqarime për qëndrimin tim lidhur me Kodin Civil, përkatësisht nenin për komunitetin në fjalë dhe kjo ishte përgjigja ime, lidhur me pjesën e Kodit Civil:
“1. Jam “pro” Kodit Civil
2. Jam “Kundër” nenit për komunitetin në fjalë, ngase nuk ka pasur sqarime për qëndrimin final të Lëvizjes për këtë çështje. Në këtë pikë, veçanërisht për çështjen e birësimit që nesër do të rregullohet me ligj, i cili do të ketë mbështetje në këtë KOD, jam KUNDËR. Po, kam status dhe kam përkrahur faqen “Familja”. Po të kishte kaluar në Parlament, nuk kam pasur ndërmend të distancohesha nga Lëvizja, por edhe trajtimin e Lëvizjes për qëndrimin tim ndaj Kodit Civil dhe distancimin nga unë, nuk po e vlerësoj si të shëndoshë”.”, shkroi Kizolli.
Sipas Kizollit, ky kundërshtim, ka bërë që ai të eleminohet nga gara.
“Sot, u informova se jam eliminuar nga gara dhe këtë vendim e konsideroj arbitrar dhe shkelje të statutit, i cili kërkon dhe mundëson një frymë demokracie, ku secili anëtar ka të drejtë të zgjedhë e të zgjidhet sipas parimit, ” një anëtar nje votë”. Me eliminimin tim, po degradohet demokracia brenda Lëvizjes, duke e shndërruar garën me një kandidat të vetëm, me parimin “një kandidat një votë”. Pastaj, me mospërshkrim të qartë, të arsyetimit për eliminimin tim, po ma dëmtojnë integritetin dhe dinjitetin.”, tha Kizolli.













