Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Prokuroria ka paraqitur pjesë të bisedave mes Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut, përmes të cilave pretendon se Thaçi ka dhënë udhëzime konkrete për mënyrën se si duhej të dëshmonte Rrustem Mustafa.
Në njërën prej bisedave, Thaçi dëgjohet duke këmbëngulur që përgjigjet e Mustafës të jenë të shkurtra.
Thaçi për dëshminë e Mustafës: “Shkurt: jo, po, po, jo”
“Pse mos ia lë ashtu… ata planifikojnë ndryshe të marrin në pyetje. Ti duhet me dalë ashtu siç ke folur, mos e lë aty. Shkurt: jo, po, po, jo. Ne e përgatisim të keqen, ti përgjigjesh atyre gjërave. Jo, kaq. Pjesën që keni që i bëni e bëni ti. Po de qashtu. Ta çojnë një ashtu pastaj ti heq asnjë… e ka mirë këtë radhë thotë, po mundet me të rrëshqitë… Të lodhin. Të lodhin tha”, dëgjohet në bisedën Thaçi – Fazliu.
Prokurori i rastit Joshua Hafetz tha se kjo pjesë, sipas interpretimit të Prokurorisë, tregon se Thaçi nuk po i jepte thjesht këshilla Mustafës, por po udhëzonte për mënyrën se si duhej të përgjigjej gjatë dëshmisë.
Sipas tij, Thaçi përsëriste që përgjigjet të ishin të shkurtra dhe që dëshmitari të mos thoshte më shumë sesa ishte e nevojshme
Hafetz: Thaçi udhëzoi që Mustafa të përgjigjej shkurt dhe të shmangte “rrëshqitjen”
“Thaçi i ka bërë të qarta si kristal udhëzimet e veta. Ai i thotë Fazliut që të përdorë të birin që të organizojë një takim me Mustafën dhe t’i thotë Mustafës se çfarë duhet të bënte. Duke përfshirë si më poshtë: dëshmitë të ishin të shkurtra, të përgjigjej me ‘po, jo’, ‘jo, po’. Të shkurtonte gjërat, mos liheshin gjërat me fund të hapur. Të përdoret seanca për përgatitjen e dëshmitarët për ta bërë punën dhe për të shmangur rrëshqitjen. Thaçi aty zbuloi faktin konfidencial të kohës që mendohej që të merrej në pyetje zoti Mustafa, për qëllimin konkret për të theksuar rëndësinë e Mustafës për t’u përgjigjur me përgjigje të shkurtra”, tha ai.
Në një pjesë tjetër të bisedës, Thaçi dëgjohet duke folur me Fazliun për mesazhin që duhej t’i përcillej Mustafës.
Biseda Thaçi – Fazliu për Mustafën: “Këto thuaji”
“Këto thuaji. Po, unë këta i thashë mbrëmë. Çështje takimesh, çështje kështu. Ata s’kanë pasur punë… s’më intereson tha hiq… Se s’kam ditur… s’kam ditur mendimin e tyre. Këtë e kam bërë unë vetëm. Çfarë ashtu…”, thanë ata në bisedë me njëri tjetrin.
Sipas Prokurorisë, në këtë pjesë Thaçi po i tregonte Fazliut se çfarë duhej t’i thoshte Mustafës, ndërsa Fazliu më pas do t’ia përcillte këto udhëzime.
Hafetz: Thaçi i tregoi Fazliut çfarë mesazhi duhej t’i përcillte Mustafës
“Përsëri, kjo nuk është kujtimi i kohëve të fundit, ose pajtim thjesht për hir të pajtimit. Por kemi të bëjmë me një situatë ku Thaçi i tregon Fazliut se kur të shkojë t’i japë mesazhin Mustafës, mesazhi është ky: shkëputesh, s’ka penale të përgjithshme, përfshirë këtë të Thaçit nga komandantët e zonave. Dhe të thotë që ‘këta nuk më kanë thënë mua asgjë’. Dhe këtu mbyllet citimi. Më pas, Fazliu ka dhënë udhëzime dhe ka sqaruese për Mustafën për të thënë që ‘unë i kam bërë të gjitha vetë’. Tani të vazhdojmë më tej me incizimin”, tha ai.
Në një tjetër pjesë, në video incizim paraqitet një pjesë ku Thaçi me Fazliun diskutojnë për mënyrën e organizimit të takimit me Mustafën.
Prokurori tha se më pas bëhet e qartë se Fazliu nuk duhej të kontaktonte drejtpërdrejt me Mustafën, por se për organizimin e takimit do të përdorej djali i tij.
Hafetz: Fazliu do të përdorte të birin për takimin me Mustafën
“Pasi i thotë asaj pjese, më vonë ata përsëri konfirmojnë që po flasim për dëshminë e Mustafës. Më pas konfirmojnë rëndësinë e Fazliut që të mos kontaktojë Mustafën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Por Fazliu do të përdorte të birin, Fariun, për të organizuar takimin. Thaçi u pajtua me këtë edhe tha ‘jo nuk duhet të jesh ti’. Duke e theksuar dhe njëherë rëndësinë e një ndërmjetësi tjetër, një personi tjetër që do të organizonte takimin midis Fazliut dhe Mustafës. Thaçi më pas menjëherë dha udhëzimin e radhës për Mustafën. Udhëzim që kishte të bënte me seancën përgatitore të dëshmitarët dhe çfarë duhej të bënte Mustafa gjatë asaj séance”
Sipas Prokurorisë, bisedat e paraqitura në seancë tregojnë një koordinim të pretenduar lidhur me dëshminë e Mustafës.
Prokurori tha se në biseda Thaçi jepte udhëzime për përgjigjet e dëshmitarit, përgatitjen e tij dhe mënyrën se si duhej të shmangte, sipas Prokurorisë, deklaratat që mund të ishin të dëmshme për Thaçin.













