Pikërisht për këto kontrata Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë sot ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një denoncim për të cilën pretendon se ka pasur keqpërdorime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Veriu.info ka siguruar të dyja kontratat dhe ka raportuar se ka gjetur se çmimet e pozicioneve në kontratën e vitit 2025 janë rritur në mënyrë astronomike krahasuar me ato të kontratës së vitit 2024.
Për të njëjtat çështje sot shefi i Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, së bashku me deputetin e kësaj partie, Ilir Kërçeli, kanë bërë të ditur se denoncimi përmban të gjeturat e tyre lidhur me dallimet e mëdha në çmime ndërmjet dy kontratave për ndriçimin publik, të nënshkruara në një periudhë prej nëntë muajsh.
Të sjellim në vëmendje disa pjesë të raportimit të djeshëm nga Veriu.info për këtë çështje:
Rasti më i theksuar është ai i koncentratorit RTU200Z, Zigbee 2.4G, me ekran LCD. Në kontratën e vitit 2024, kjo pajisje ishte paraparë të kushtonte 1 euro e 20 cent për njësi, ndërsa në kontratën e vitit 2025 çmimi është përcaktuar në 2 mijë e 300 euro. Pra, për të njëjtin përshkrim dhe specifika teknike, çmimi për njësi është rritur për 191 mijë e 566%.
Një dallim i ngjashëm vërehet edhe te siguresa FID 4P 63/0.5A. Në kontratën e vitit 2024, çmimi për njësi ishte 0,50 euro, ndërsa në kontratën e vitit 2025 është përcaktuar në 55 euro. Kjo paraqet një rritje prej 10 mijë e 900%.
Pavarësisht se është më i ulët se sa në kontratën paraprake, çmimi i pozicionit 27 për njësi (metër gjatësi) është skandaloz. Kjo pasi që në kontratë një (1) metër gjatësi e shiritit vrojtues është paraparë të paguhet nga komuna në vlerë prej 8.5 euro, ndërsa në realitet çmime i një metre gjatësi i këtij shiriti në markete kushton 2 cent, që është rritje e çmimit prej 40 mijë e 700%.
Raportimi i plotë i Veriu.info për këtë temë:
Më poshtë ju sjellim edhe deklaratat e plota të zyrtarëve të Vetëvendosjes pas denoncimit në Prokurorinë Speciale:
“Ka të bëjë me dorëzimin e një denoncimi pranë Prokurorisë Speciale, së bashku me Ilir Kërçelin. Ka të bëjë me kontratën për ndriçim publik, ‘Smart’, ku ne jemi të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që bëhet fjalë për një kontratë abuzive, ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës. Siç e dini, për ndriçimin publik janë dy kontrata të cilat janë nënshkruar në një periudhë të ngushtë kohore. Kontrata e parë është e korrikut të vitit 2024, ndërsa kontrata tjetër e prillit të vitit 2025, mirëpo ndryshimi për pozicionet e njëjta, për punën e njëjtë, është aq i madh saqë na ka bërë që këtë kontratë ta hetojmë më në thellësi dhe të gjeturat tona i kemi dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale dhe presim që Prokuroria ta zbardhë rastin”, tha Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të VV-së në Prishtinë.
“Në këtë kontratë ka diferenca të mëdha të çmimeve, në krahasim me kontratën e parë të para nëntë muajve, ka pozicione të cilat nga 90 euro pas nëntë muajve janë rritur në 300 euro, dhe pozicione të tjera nga 50 euro me 250 euro nga kontrata e re. Është shumë e rëndësishme që Prokuroria Speciale t’i hetojë këto dy kontrata, sepse Komuna e Prishtinës paraprakisht e ka pasur një llogaritje se sa mund të jenë çmimet në treg, sepse kanë nënshkruar para nëntë muajve, para se ta nënshkruajnë kontratën e madhe prej 10 milionë euro, me një kompani tjetër, në të cilën ne kemi dyshime se kompania e parë ka përfunduar punimet në kryeqytet, mirëpo është faturuar kompania e cila ka fituar 10 milionë euro kontratën e ndriçimit ‘Smart’. Në të gjitha shtyllat në kryeqytet, ju mund të shihni se aty janë stikersat e kompanisë e cila ka fituar në tenderin e parë, mirëpo është përlyer një kontratë tjetër me 10 milionë euro”, tha Kërçeli, deputet i VV-së në Kuvendin e Kosovës.














