Kurti sërish premton përfundimin e Autostradës së Gjilanit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsëri e ka premtuar përfundimin e Autostradës së Gjilanit.
Këtë e bëri gjatë prezantimit të ekspozesë në seancën ku u votua për herë të katërt si Kryeministër i Kosovës.
“Do të përfundojmë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë dhe lidhjen me korridorin 1”, deklaroi Kurti në fjalën e tij para votimit për Qeverinë e re të tij.
Përfundimin e këtij projekti, Kurti dhe vartësit e tij e kanë premtuar vazhdimisht.
Hysen Durmishi, në cilësinë e zëvendësministrit të Infrastrukturës, në vitin 2023, deklaronte se Autostrada e Gjilanit do të përfundonte në fund të vitit 2023.
“Në autostradën Prishtinë-Gjilan, përkatësisht Banullë deri te Bresalci, janë aktualisht duke u zhvillu punimet me një dinamikë shumë të shtuar. Dhe ne jemi optimist që do ta përfundojmë deri në fund të vitit”, thoshte Durmishi më 8 gusht 2023.
Në 2023-në, edhe vetë Kurti kishte thënë se Autostrada e Gjilanit po bëhet. “Prishtina po lidhet me Gjilanin me autostradë. Pra, Autostrada Prishtinë-Gjilan po bëhet”, thoshte Kurti më 21 korrik 2023.
Lërë që nuk përfundoi më 2023-në, por ndërtimi i saj nuk ka përfunduar as tani kur ka kaluar më shumë se gjysma e vitit 2026.














