Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Mišetić, ka reaguar lidhur me debatin për paanshmërinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se kjo çështje ende nuk është përcaktuar.
Përmes një postimi në platformën X, Mišetić tha se nuk i takon komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ta paragjykojë këtë çështje.
“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e zotit Thaçi, kjo ende duhet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kos ta paragjykojë këtë çështje”, shkroi Mišetić.
Ai iu referua gjithashtu një raporti të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Dhomës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (Bar Human Rights Committee – BHRC), duke thënë se në raport janë ngritur pikëpyetje lidhur me paanshmërinë e gjyqtarëve në rastin Thaçi.













