Tema e vrasjeve të pasluftës është rikthyer në skenën politike në Kosovë, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, për këtë çështje ka folur deputeti i PDK-së, Fadil Nura duke komentuar edhe deklaratat e ish-deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, i cili kishte thënë se më shumë pjesëtarë të UÇK-së janë vrarë sesa pjesëtarë të LDK-së.
Haliti mbrëmë në një paraqitje televizive, kishte deklaruar gjithashtu se pas luftës nuk ka pasur hakmarrje apo eliminime politike, duke folur për rolin e LDK-së dhe zhvillimet politike të periudhës së pasluftës.
I pyetur nëse deklarata të tilla mund të ndikojnë në thellimin e përçarjeve mes shqiptarëve, Nura ka thënë se vrasjet e pasluftës duhet të trajtohen nga drejtësia dhe se diskutimet e tilla nuk i kontribuojnë shoqërisë.
“Unë, të them të drejtën, për të gjitha vrasjet pasluftës e shoh vetëm një fajtor dhe nuk dua të diskutoj më tepër në lidhje me to, pasi edhe nuk na kontribuojnë neve si shoqëri. Mendoj që këto i takojnë drejtësisë t’i zbardhë, t’i hetojë dhe t’i gjykojë. Unë mendoj që vetëm një pyetje mund të shtrohet: Kujt i ka interesuar më tepër që përçarjet mes shqiptarëve të ekzistojnë në këtë formë ose në këtë masë? Kujt tjetër, përpos pushtuesit që deri dje ka qenë këmbëkryq në Kosovë?”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Ai ka shtuar se, sipas tij, përçarjet mes shqiptarëve kanë qenë në interes të pushtuesit, duke pretenduar se kjo ka ndikuar që shqiptarët të drejtohen kundër njëri-tjetrit, në vend se përgjegjësia të kërkohet te faktorët që ai i konsideron përgjegjës për këto zhvillime.
“Unë mendoj që të gjitha vrasjet pasluftës i atribuohen pushtetit ose pushtuesit, i cili ka bërë përpjekje dhe ia ka arritur që ta gjuajë gurin dhe ta fshehë dorën. Edhe ne, në situata të tilla, për interesa politike, por edhe interesa të tjera, jemi gjykuar dhe jemi gjuajtur mes njëri-tjetrit dhe nuk jemi drejtuar aty ku mendoj se ka qenë fajtori kryesor për të gjitha këto, pra pushtuesi që ka qenë deri në vitin 1999 në Kosovë”, ka përfunduar Nura.














