Ndoshta edhe nuk do ta besoni! Një parti politike e Kosovës me emrin “Guxo” iu deshtën më shumë se tre ditë të fitojë “guximin” ta shkruajë një komunikatë për media pas vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish krerëve të UÇK-së.
Aktgjykimi u mor më 16 shtator e “Guxo” me kryetar Faton Pecin ka vendosur të reagojë tek sonte, më datë 19 shtator, shkruan Gazeta Online Veriu.info.
Prapë mund t’iu duket e pabesueshme por në këtë komunikatë dënimi ndaj ish krerëve të UÇK-së quhet drakonik, por askund nuk thuhet se është i padrejt përveç që potencohet Apeli si rrugë për adresimin sic thuhet aty të këtij problemi.
Dhe “natyrshëm” siç di të bëjë kjo parti pjesa tjetër e komunikatës është në mbrojtje të Donika Gërvallës, ku kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e saj konsiderohet sulm që lidhet Ligjin për pasuri të pajustifikueshme, ani pse kjo parti është në pushtet bashkë me VV për më shumë se 6 vite dhe nuk ka ndërmarrë absolutisht asgjë për këtë çështje.
Kërkesën për dorëheqje “Guxo” e Faton Pecit e quan linçim publik, madje e përmend linçimin si formë që u ka paraprirë likuidimit të personaliteteve të njohura kombëtare.
Kujtojmë që Donika Gërvalla publikisht e kishte thënë se do të dërgonte dosje në këtë gjykatë kurse deputeti i kësaj partie, Fatos Geci, kërkonte dënimin me burg të përjetshëm për Hashim Thaçin.
Më poshtë lexoni komunikatën e plotë të Guxo:
KOMUNIKATË PËR MEDIA
Drejtësi po, manipulim politik jo
Shqetësimi i qytetarëve për dënimet e fundit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është i arsyeshëm dhe tërësisht legjitim. Protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet me respektin më të madh.
Megjithatë, dënimet drakonike që nxitën këtë reagim të madh popullor nuk mund të ndreqen përmes linçimeve politike e publike, por vetëm përmes një beteje të pastër juridike. Gjykata e Apelit, si nivel i dytë, mbetet rruga e vetme e duhur për adresimin institucional të këtij problemi.
Pavarësisht vendimeve të gjykatave, lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi mbetet gjithmonë e drejtë dhe e shenjtë.
Në këtë kontekst, pyetja shtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: pse përgjegjësia politike nuk kërkohet nga ata që e votuan, e negociuan dhe e mbështetën Gjykatën Speciale? Sot, zhurmës së akuzave dhe baltosjeve u prijnë pikërisht ata që nëpër studio televizive e jashtë tyre kërkonin burgosje, lexonin lista me emra dhe ushtronin presione të pashembullta që ky ligj të votohej në Kuvend.
Është e papranueshme që, në vend të një analize mbi bazën e fakteve dhe veprimeve konkrete se pse erdhi situata deri këtu, po tentohet të linçohet politikisht Zëvendëskryeministja dhe Ministrja Donika Gërvalla si një “fajtore” për këtë.
Linçimi publik dhe baltosja e pashembullt, gjithnjë iu ka paraprirë edhe likuidimeve fizike të personaliteteve të njohura kombëtare.
Prandaj, Partia Guxo ngre pyetjen: prej nga kjo ringjallje e fantazmave të listave për likuidime, të viteve 97, 98, 99?Këto zhvillime ngrenë dyshime të mëdha: a po dëshmohet se në Kosovë ende nuk mund të zhvillohen procese gjyqësore të pavarura, pa presione politike dhe ndërhyrje të jashtme? Cili është mesazhi që këto fushata dhe protesta kundër institucioneve të drejtësisë i transmetojnë botës?
Shoqëria jonë duhet të vendosë nëse kërkon drejtësi vetëm kur ajo përkon me interesat e ngushta politike, a po kërkon një drejtësi të bazuar rreptësisht mbi kutet e ligjit apo mbi kutet e grupeve të cilat ligjin e konsiderojnë pronë?
Partia Guxo është e bindur: Drejtësia nuk guxon të përdoret kurrë si një instrument i luftës së brendshme politike.
Dhe fund, duhet të pyesim: sulmet ndaj Donikës kanë të bëjnë me Hagën apo ligjin për hulumtimin e pasurisë së pajustifikueshme? Ofendimet e sotme në portale e vërtetojnë që kjo e dyta është e vërteta.
Prandaj:
Shqetësim qytetar, po.
Protestë, po.
Llogaridhënie, po.
Linçim politik, në asnjë mënyrë.














