Analisti politik Ilir Deda ka publikuar në Facebook një postim me një varg propozimesh përtejkalimin e situatës politike në Kosovë dhe për mbështetjen e proceseve të apelimit lidhur me rastin e katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.
Deda kërkon marrëveshje politike ndërmjetpartive, financim të ekipeve të mbrojtjes, angazhim të ekspertëve ndërkombëtarë, koordinim institucional dhe veprim diplomatik të Kosovës. Ai gjithashtu bën thirrje përruajtjen e rendit dhe sigurisë, duke theksuar se mbështetja e apelimit nuk duhet tënënkuptojë mohim të vuajtjes së viktimave.
Postimi i Ilir Dedës në Facebook:
Në këto momente është i domosdoshëm lidershipi politik dhe vendime të qarta politike që në qendër e kanë Kosovën. Partitë politike që sot mund të dakordohen për këto pika:
Të arrijnë një marrëveshje politike për stabilizimin politik të vendit, ku pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë kandidati i përbashkët për president të Kosovës, zgjerimi i pjesëmarrjes në Qeveri dhe emrime të reja në disa ministri. Marrëveshja mund të arrihet menjëherë, pa e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, partitë mund të dakordohen për një qëndrim të përbashkët shtetëror, i cili do të shndërrohet në Rezolutë të Kuvendit sapo Gjykata Kushtetuese të vendosë për kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë. Kjo Rezolutë duhet të theksoj qartë që vendimi i shkallës së parë nuk është përfundimtar; që Kosova do ta mbështesë një proces të drejtë të Apelit; që përgjegjësia penale nuk mund të shndërrohet në faj kolektiv të UÇK-së, luftës çlirimtare apo vetë shtetit të Kosovës.
Të ndahen menjëherë fondet e nevojshme për zgjerimin e katër ekipeve të mbrojtjes dhe përgatitjen e ankesave për Apel. Në marrëveshje me secilin ekip, duhet të angazhohen juristë të dëshmuar dhe me përvojë në procedurat e apelit para gjykatave ndërkombëtare, duke përfshirë ekipet e tyre përcjellëse. Financimi NUK mund të shndërrohet kontroll politik të strategjive të mbrojtjes.
Të angazhohet një grup i pavarur i ekspertëve ndërkombëtarë për ta analizuar në tërësi aktgjykimin dhe dosjen e gjykimit, në bashkëpunim me ekipet e mbrojtjes. Apeli nuk është një përsëritje e gjykimit, sepse ai duhet të ndërtohet mbi identifikimin e saktë të gabimeve juridike, gabimeve në vlerësimin e fakteve dhe gabimeve në përcaktimin e dënimeve.
Të themelohet një mekanizëm shtetëror koordinues, me përfaqësim të Presidencës, Qeverisë, partive parlamentare dhe ekspertëve të pavarur juridikë e diplomatikë, të udhëhequr nga një i përfaqësueses i opozitës. Ky mekanizëm duhet ta koordinojë sigurimin e dokumenteve, mbështetjen financiare, veprimin diplomatik dhe komunikimin publik.
Përmes kanaleve diplomatike duhet të kërkohet nga NATO-ja, OSBE-ja dhe ish-Misioni Verifikues në Kosovë, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe shtetet e tjera të përfshira gjatë luftës që t’i hulumtojnë arkivat e tyre dhe, kur është e mundshme, t’i deklasifikojnë apo t’ua dorëzojnë mbrojtjes dokumentet relevante.
Të fillojë një diskutim serioz me BE-në dhe shtetet e QUINT-it për garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së plotë të gjithë procedurës të Apelit, duke përfshirë edhe vet trupin gjykues, dhe duke garantuar plotësisht kohën mjaftueshme për mbrojtjen, si dhe qasjen e plotë në materialet që mbrojtja ka të drejtë t’i këtë.
Diplomacia e Kosovës nuk duhet t’u kërkojë qeverive aleate që ta diktojnë vendimin e Apelit, sepse këtë as nuk mund dhe as nuk duhet ta bëjnë, por DUHET të kërkojë që ta mbrojnë integritetin e procesit dhe të mos lejojnë që Serbia ta shndërrojë një aktgjykim ndaj katër individëve në aktgjykim politik ndaj UÇK-së, luftës për liri dhe vetë shtetit të Kosovës.
Të trajtohet me seriozitetin më të madh interesi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pas bisedave të përbashkëta me qeveritë e shteteve kyçe të Evropës, partitë duhet të dakordohen për obligimet që duhet të përmbushen për këtë anëtarësim. Në të njëjtën kohë, duhet të punojnë së bashku për mbylljen e të gjitha çështjeve të hapura që e kanë zbehur kredibilitetin e Kosovës, i kanë dëmtuar raportet me aleatët dhe e kanë dobësuar pozitën tonë ndërkombëtare.
Të dakordohen për një komunikim të përbashkët publik dhe për ruajtjen e rendit e të sigurisë. Protesta dhe hidhërimi i qytetar janë të kuptueshme dhe forma bazike e shprehjes së pakënaqësisë, por jo dhuna dhe gjuha e urrejtjes. Duhet të parandalohet çdo përpjekje për provokim apo instrumentalizim të situatës, veçanërisht në veri të vendit.
Mbështetja në Apel nuk shndërrohet në mohim të vuajtjes së viktimave, sepse respekti për viktimat nuk e dobëson mbrojtjen e të dënuarve, përkundrazi – ia shton kredibilitetin.
Kosova MUNDET që në të njëjtën kohë t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve të saj, ta kundërshtojë një vendim thellësisht të padrejtë përmes mjeteve juridike, t’i respektojë viktimat, ta ruajë sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm dhe t’i rindërtojë raportet me aleatët. Ky është testi më i madh për gjithë politikën e vendit.













