Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit

20/09/2026 - 13:22
në Kryesore, Lajme
A A
Njeriu i 17 shkurtit nën hijen e 16 shtatorit
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Dënimi për krime lufte i shton një kapitull të ri trashëgimisë së Hashim Thaçit, një prej figurave qendrore të pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Juridikisht, aktgjykimi ndaj Thaçit nuk prek pavarësinë e Kosovës; politikisht, ekspertët paralajmërojnë se mund të përdoret për të sfiduar narrativin e shtetësisë së saj. Nga partneriteti me Perëndimin te verdikti në Hagë, si do të bashkëjetojnë këta dy kapituj në mënyrën se si do të kujtohen Thaçi dhe historia e re e Kosovës?

Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi qëndroi në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe lexoi fjalët që do ta përcaktonin vendin e tij në historinë e shtetit më të ri të Evropës.

“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Thaçi.

Ai ishte atëherë 40 vjeç, kryeministër i Kosovës dhe ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fotografia e tij në Kuvend u bë një nga imazhet përcaktuese të 17 shkurtit.

17 shkurt 2008: Hashim Thaçi, atëkohë kryeministër, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
17 shkurt 2008: Hashim Thaçi, atëkohë kryeministër, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, një tjetër imazh i Thaçit hyn në historinë e Kosovës.

Më 16 shtator 2026, ai qëndroi në një sallë gjyqi në Hagë dhe dëgjoi një trup gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës ta shpallte fajtor për krime lufte.

“Trupi gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 25 vjet burgim”, u tha në aktgjykim.

Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, 16 shtator 2026.
Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, 16 shtator 2026.

Asnjëra fotografi nuk e fshin tjetrën, por, prej këtij aktgjykimi, ato do të ekzistojnë së bashku.

Pyetja është se çfarë i bën kjo jo vetëm trashëgimisë së Thaçit, por edhe mënyrës se si do të lexohet historia e shtetit që ai ndihmoi ta krijonte.

Çfarë gjykoi Haga?

Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se përgjigjja juridike nuk lë shumë hapësirë për dilemë: këto janë dy çështje krejtësisht të ndara.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara kishin për detyrë të përcaktonin përgjegjësinë penale të katër individëve – Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – dhe jo të gjykonin shtetin që u krijua më vonë.

“Ata i shpallën këta katër individë fajtorë për krime lufte dhe për përgjegjësinë e tyre individuale. Kjo është ajo që përcakton ligji. Nuk do të duhej të kishte ndonjë ndikim tjetër mbi shtetin”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.

Për pavarësinë, përgjigjja juridike u dha edhe vite më parë.

Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Deklarata e 17 shkurtit nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.

  • Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burgim për krime lufte, Veseli me 18, Selimi me 13

Vija u tërhoq qartë edhe në Dhomat e Specializuara: synimi për pavarësinë e Kosovës nuk ishte objekt i përgjegjësisë penale. Aktgjykimi trajtoi krimet e kryera ndaj personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Megjithatë, ajo që ndahet qartë në një sallë gjyqi, mund të bashkohet më lehtë në betejën politike për historinë.

Një aktgjykim që mund të marrë një jetë tjetër

Pikërisht këtu, sipas studiuesit Abit Hoxha nga Universiteti Agder në Norvegji, aktgjykimi mund të marrë një jetë tjetër.

Jo duke ndryshuar statusin juridik të Kosovës, por duke hyrë në përplasjen shumë më të vjetër për mënyrën se si interpretohet pavarësia e saj.

Hoxha thotë se vendimi mund të lërë “një njollë të madhe” në këtë histori dhe pret që Serbia dhe Rusia, të cilat vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, ta përdorin dënimin e Thaçit për të sfiduar narrativin mbi të cilin Kosova e ka ndërtuar shtetësinë e saj dhe për ta shtyrë këtë interpretim edhe përtej tyre.

“Vendet sikurse Qiproja, Rumania, Spanja, Greqia… do ta kenë shumë më të vështirë ta njohin pavarësinë e Kosovës, për shkak të këtij argumenti. Të gjithë njerëzit që janë kundërshtarë të Kosovës, do të thonë se themeli i shtetit të Kosovës është bërë mbi krime të luftës. Këtu është rreziku më i madh që unë e shoh”, thotë Hoxha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Për vetë figurën e Thaçit, Hoxha përdor një përkufizim më të fortë. Ai e përshkruan si “babain e pavarësisë së Kosovës” – jo vetëm për faktin se lexoi Deklaratën, por për rolin që kishte në gjithë procesin që çoi deri tek ajo.

Është një rol që, sipas Hoxhës, aktgjykimi mund ta komplikojë, por nuk mund ta fshijë nga historia.

Kjo për faktin se rruga e Thaçit përshkoi disa prej etapave vendimtare të historisë së re të Kosovës.

Nga veprimtaria politike dhe roli udhëheqës në UÇK, ai kaloi në negociatat ndërkombëtare për Kosovën dhe, pas luftës, në krye të institucioneve të saj.

Ishte kryeministër kur u shpall pavarësia, më vonë president dhe një nga figurat kryesore në dialogun me Serbinë dhe në marrëdhëniet me Perëndimin.

Dy mënyra për ta kujtuar Thaçin

Por, kjo histori e gjatë politike ngre edhe pyetjen se sa mund të ndahet aktgjykimi i Hagës nga trashëgimia e Thaçit.

Për studiuesin Armend Bekaj nga Universiteti Uppsala në Suedi, mënyra se si do të kujtohet Thaçi nuk ka vetëm një përgjigje.

“Për shumëkë, Hashim Thaçi do të vazhdojë të jetë heroi i luftës dhe i paqes, por, njëkohësisht, edhe për shumëkë do të jetë një person, i cili u shpall fajtor për krime lufte. Besoj që kjo gjykatë, fatkeqësisht, ka ofruar material të bollshëm për politikanin, akademikun, gazetarin e sotëm, e nesërm, që të shkruajë vëllime të tëra si për njërin ekstrem, ashtu edhe për ekstremin tjetër”, thotë Bekaj për Exposenë.

Për ata që do ta lexojnë Thaçin vetëm përmes aktgjykimit, Bekaj shton se duhet kujtuar edhe konteksti: rruga e tij nga UÇK-ja deri te pavarësia u përshkua me mbështetje të fuqishme të Perëndimit, mbi të gjitha të Shteteve të Bashkuara.

Si dëshmi të këtij raporti, ai përmend edhe paraqitjen në mbrojtje të Thaçit të ish-zyrtarëve të lartë amerikanë, si Wesley Clark dhe James Rubin.

“Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK-së, dhe jo vetëm të UÇK-së, kanë qenë partnerë në çdo hap – prej kohës së rezistencës civile, rezistencës së armatosur drejt bërjes së Kosovës shtet – kanë punuar në një afërsi të jashtëzakonshme me miqtë euroatlantikë”, thotë Bekaj.

1999: Hashim Thaçi, atëkohë udhëheqës i UÇK-së, dhe James Rubin, atëkohë zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
1999: Hashim Thaçi, atëkohë udhëheqës i UÇK-së, dhe James Rubin, atëkohë zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

A duhet Perëndimi ta rilexojë atë periudhë?

Ky partneritet e zgjeron pyetjen përtej vetë Thaçit.

Nëse ai ishte një nga figurat kryesore me të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre punuan në rrugën drejt pavarësisë, a e detyron aktgjykimi i Hagës Perëndimin ta rilexojë edhe atë periudhë?

Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe profesor në Universitetin Georgetown, nuk mendon kështu.

“…sepse Thaçi e bëri atë kalim, apo jo? Nga një udhëheqës i kohës së luftës, i dënuar tani për mizori, ai u bë një udhëheqës civil që ndihmoi Kosovën të ecte drejt pavarësisë dhe të ndërtonte marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me fuqitë evropiane dhe me të tjerët. Prandaj, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë”, thotë Kupchan për Exposenë.

Me fjalët e tij, verdikti mund të jetë një tronditje afatshkurtër, por jo një goditje që do të ndryshojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ai nuk pret tërheqje të njohjeve, dëmtim të partneriteteve me Perëndimin apo pengim të rrugës euroatlantike. Sipas tij, as procesi i normalizimit me Serbinë nuk vihet në pikëpyetje.

Madje, në planin afatgjatë, ai sheh mundësinë edhe të një efekti pozitiv, nëse procesi shihet si dëshmi se drejtësia zbatohet njësoj për të gjithë.

“Kosova po luftonte për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe, për këtë arsye, lufta për pavarësi ishte një luftë e drejtë. Megjithatë, një luftë e drejtë nuk i justifikon krimet e luftës. Një padrejtësi nuk mund të arsyetohet me një padrejtësi tjetër. Nëse Thaçi dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë kryer krime lufte – edhe pse kauza për të cilën luftonin ishte e drejtë – atëherë mendoj se gjykata ka bërë atë që duhej të bënte”, thotë Kupchan.

Nga “George Washingtoni i Kosovës” te Haga

Ky kontrast nuk kaloi pa u vënë re edhe jashtë Kosovës.

Në raportimet për aktgjykimin, mediat ndërkombëtare e përshkruan Thaçin jo vetëm si ish-president dhe ish-udhëheqës të UÇK-së, por edhe si një nga figurat qendrore të pavarësisë.

AFP-ja e përmblodhi transformimin në një titull: “Nga ‘George Washingtoni i Kosovës’ në të dënuar në Hagë”. Krahasimi lidhet me një përshkrim që Joe Biden kishte përdorur për Thaçin gjatë kohës kur ishte nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Associated Press kujtoi se Thaçi, i cili u kthye nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë, u pranua më pas nga udhëheqësit perëndimorë, mori pjesë në negociatat e Rambujesë më 1999 dhe u pa si një prej figurave që mund ta udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë.

Guardian shkroi se Thaçi, dikur me qëndrime të ashpra, më pas u zhvendos drejt një profili politik më të moderuar.

The Times, po ashtu, e përmblodhi kontrastin që në titull: “‘Gjarpri’, hero i Kosovës, i dënuar për krime lufte”.

Një trashëgimi që tash ka dy anë

Kur pyetet se cili imazh i Thaçit do të peshojë më shumë pas disa dekadash – njeriu që ndihmoi ta çonte Kosovën drejt pavarësisë apo njeriu i dënuar për krime lufte – Kupchan nuk zgjedh mes tyre.

“Si edhe me udhëheqës të tjerë që kanë bërë gjëra të guximshme dhe me vlerë, por që njëkohësisht janë akuzuar edhe për vepra penale, përfshirë krime lufte, edhe në rastin e Thaçit ekzistojnë të dyja anët. Është një trashëgimi e ndërlikuar. Thaçi do të kujtohet për rolin që kishte në udhëheqjen e Kosovës drejt pavarësisë. Por, në të njëjtën kohë, trashëgimia e tij tash do të jetë e lidhur edhe me këtë aktgjykim”, thotë Kupchan.

Dy momentet i ndajnë pak mbi 18 vjet.

Se cili prej tyre do të peshojë më shumë në mënyrën se si do të kujtohet Thaçi, mbetet një pyetje për vitet që vijnë.

Por, 16 shtatori nuk ndryshoi vetëm trashëgiminë e tij.

Në të njëjtën sallë, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 – të gjithë për krime lufte.

Në Kosovë, aktgjykimi u prit me reagime të forta dhe me shpresën se fjala e fundit mund të mos jetë thënë ende.

Sepse, pas më shumë se tre vjetësh gjykim dhe një aktgjykimi që dha gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, vëmendja tash zhvendoset tek apeli.

JU REKOMANDOJMË

Sherifi: Protestat shprehin revoltën. Institucionet, pozitë dhe opozitë, duhet ta bëjnë betejën!

Sherifi: Protestat shprehin revoltën. Institucionet, pozitë dhe opozitë, duhet ta bëjnë betejën!
20/09/2026 - 14:22

Anëtari i ekipit të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, Bilall Sherifi ka thënë se protestat që po organizohen janë të domosdoshme, por këto protesta pa vemrim institucional mbeten vetëm...

Më shumëDetails

Pas 27 vitesh identifikohen tre veprimtarë të vrarë gjatë luftës, reagon Lutfi Haziri

LDK mblidhet pas kërkesave për dorëheqjen e Abdixhikut, deklarohet Haziri
20/09/2026 - 14:14

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas konfirmimit të mbetjeve mortore të disa prej intelektualëve të Mitrovicës. Haziri në një postim në Facebook tha se “mbetjet mortore...

Më shumëDetails

Haradinaj në majën e Rupës me të rinj, valojnë flamujt e UÇK-së dhe “Liria ka emër”

Haradinaj në majën e Rupës me të rinj, valojnë flamujt e UÇK-së dhe “Liria ka emër”
20/09/2026 - 14:02

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, vikendin e ka shfrytëzuar për të dalë në mal. Haradinaj ka publikuar një video në Facebook, ku ka bërë...

Më shumëDetails

“Të jemi shumë, të jemi bashkë”, Lira ka Emër bën thirrje për pjesëmarrje të madhe sonte

“Të jemi shumë, të jemi bashkë”, Lira ka Emër bën thirrje për pjesëmarrje të madhe sonte
20/09/2026 - 13:33

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, sonte nga ora 21:00 do të mbahet sërish protestë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Thirrjen për protestë e ka bërë organizata “Liria...

Më shumëDetails

Buja pas vërdiktit në Hagë: Ku është qeveria, parlamenti, dhe partia ime, kështu nuk mbrohet askush

Buja pas vërdiktit në Hagë: Ku është qeveria, parlamenti, dhe partia ime, kështu nuk mbrohet askush
20/09/2026 - 13:15

Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Shukri Buja ka ngritur disa pyetje pas verdiktit dënues në Hagë. Buja ka thënë se qytetarët përmes protestave në Kosovë dhe jashtë...

Më shumëDetails

Sëmureni gjatë pushimeve jashtë Zvicrës? Ja çfarë mbulon sigurimi shëndetësor

Shantazhonte burrat e moshuar në Zvicër, kosovari dënohet me 10 muaj burg me kusht
20/09/2026 - 12:51

Një trajtim urgjent jashtë vendit mund të kushtojë shumë, sidomos në shtete si SHBA-ja. Për personat e siguruar në Zvicër, niveli i mbulimit varet nga vendi ku ndodh...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Trump: Iranianët e rrëzuan helikopterin amerikan mbi Ngushticën e Hormuzit

    “Siguroni ushqime dhe strehim”, SHBA alarm për luftë, Trump kthehet herët nga Camp David

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë tre veprimtarët e njohur të identifikuar pas zhvarrosjeve në Mitrovicë

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Lajme të këqija për presidentin serb Vucic, nisi procedura kundër partisë së tij

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Guxo me komunikatë 3 ditë pas dënimit të krerëve të UÇK-së: Dënimin e quan drakonik por askund të padrejtë, kërkesën për dorëheqje të Gërvallës e lidh me ligjin për pasuri të pajustifikueshme

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Aksidentohet Benita, publikon pamje nga spitali

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë