Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në fshatin Turjakë të Pejës, ku një vajzë 13-vjeçare dyshohet se është rrahur nga nëna e saj dhe më pas është larguar nga shtëpia.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima, D.A., 13 vjeçare, është gjetur pranë shkollës pasi ishte larguar nga shtëpia e nënës së saj.
Meqë kishte lëndime të dukshme, e mitura fillimisht është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku ka marrë trajtim mjekësor, e më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim nga hetuesit e dhunës në familje.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, 13-vjeçarja ka deklaruar se prindërit i ka të ndarë dhe se jeton me babanë në fshatin Vojnoc të Shtimes, ndërsa rreth një javë më parë kishte shkuar për vizitë te nëna e saj në Turjakë.
Në deklarimin e saj, e mitura ka thënë se nëna kishte filluar ta qortonte disa ditë më parë dhe më pas dyshohet se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
Ajo ka deklaruar se më 19 shtator ishte goditur në duar, këmbë dhe kokë.
Pas marrjes së informatave, Policia ka arrestuar të dyshuarën, Z.G., 30-vjeçare, e cila është shoqëruar në Stacionin Policor në Pejë dhe është intervistuar.
Gjatë kësaj faze të procedurës, ajo ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” në kuadër të dhunës në familje.
Pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, 13-vjeçarja ka refuzuar të kthehet te nëna dhe ka kërkuar të shkojë te babai. Meqë ai nuk ka pasur mundësi ta marrë menjëherë, viktima, me dëshirën e saj, është vendosur përkohësisht në një shtëpi të sigurt.













