Një zëdhënës i BE-së ka konfirmuar se shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e ka ngritur këtë çështje rishtazi, gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmën e ndërsjellë juridike. Kjo çështje është pezull prej një kohe të gjatë dhe Serbia duhet ta trajtojë atë pa vonesë”, ka porositur zëdhënësi i BE-së.
Ai rikujtoi se Brukseli vazhdimisht ka bërë thirrje që përgjegjësit për këtë sulm të tmerrshëm të mbahen përgjegjës dhe shprehu keqardhjen që, deri më sot, Serbia ende nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale, me akuza përkatëse, të personave që ndodhen në Serbi.
Sulmi i 24 shtatorit të vitit 2023, sipas Bashkimit Evropian, kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon.













