Familja e heroit Afrim Bunjaku ka përkujtuar trevjetorin e rënies së tij, duke shprehur dhimbje për humbjen e tij, por edhe krenari për sakrificën që bëri për Kosovën. Arton Bunjaku, djali i axhës së Afrimit, ka thënë se ky përvjetor është shoqëruar me emocione të përziera, veçanërisht pas vendimit të fundit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se familja e përjeton me dhimbje çdo përvjetor të rënies së Afrim Bunjakut, por njëkohësisht ndihet krenare për sakrificën e tij.
“Ne si familje çdo herë në këtë datë normal që ndjejmë dhimbje dhe njëkohësisht edhe kemi krenari, pasi që Afrimi nuk ra vetëm për vete, por ra për Kosovën, dha më të shtrenjtën, jetën e tij. Por në këtë përvjetor ndjehemi me shumë emocione të përziera, pasi që kemi pritur që çlirimtarët tanë do të jenë në mesin tonë”, tha ai.
Bunjaku ka përmendur edhe praninëe familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se për familjen kjo ka sjellë njëkohësisht krenari dhe dhimbje.
“Na tani vetëm sa i përcjellëm tre djemtë e prijesve të luftës, çlirimtarëve të Kosovës. Sa ishim krenarë, ndjejmë edhe dhimbje, pasi që drejtësia nuk po vihet në vend dhe sakrifica e tyre po mohohet, dhe gjithmonë si popull kemi qenë të shtypur. Dhe kjo tregon më së miri në gjykimin e fundit që patëm në Hagë. Është një gjykim i padrejtë dhe presim që së shpejti të lirohen dhe të vijnë në vendlindjen e vet”, tha ai.
Ai u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që, të ndërmarrin masa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka kërkuar që personat që i quan agresorë dhe që ndodhen në Serbi të përballen me drejtësinë.
“Ata janë çlirimtarë, janë heronj të gjallë dhe nga këtu i bëj thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të merr masa dhe t’i lirojnë sa më parë. E agresorët, të cilët enden lirshëm nëpër Serbi, t’i thërrasin para drejtësisë dhe t’i gjykojnë dhe t’i japin dënimin e merituar. Nga këtu i bëj thirrje edhe të gjitha ambasadave, ta përcjellin për së afërmi gjendjen në Kosovë, e cila nuk është vetëm UÇK-ja. UÇK-ja është e gjithë popullit. Të gjithë jemi UÇK”, tha ai.
Në fund, Bunjaku ka bërë thirrje për unitet të qytetarëve dhe për përcjelljen e një mesazhi të përbashkët te bashkësia ndërkombëtare.
“Nuk mund të tjetërsohet liria e Kosovës dhe mundi i djemve e bijave tona, të cilat deri në këtë moment dhanë çdo gjë më të shtrenjtën për Kosovën. Andaj, i bëj thirrje edhe gjithë popullit të jenë unifikues dhe të dërgojnë një mesazh të bashkimit, bashkësisë ndërkombëtare dhe të jemi të barabartë dhe të mos na mohohen të drejtat tona, të cilat gjithmonë po jemi të shtypur vazhdimisht”, tha ai.













