Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Serbët e Kosovës mes listës së Vuçiqit dhe asaj studentore

24/09/2026 - 15:29
në Lajme
A A
Serbët e Kosovës mes listës së Vuçiqit dhe asaj studentore
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Zgjedhjet parlamentare në Serbi, të caktuara për 25 tetor, rikthyen në vëmendje edhe politikën e Beogradit zyrtar ndaj Kosovës, veçanërisht mes partive dhe nismave politike serbe që veprojnë në Kosovë.

Derisa Lista Serbe mbështet listën Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar, me arsyetimin se ajo nënkupton “vazhdimin e mbështetjes institucionale të Serbisë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare serbe”, partitë opozitare paralajmërojnë mbështetje për Listën Studentore, duke kritikuar pushtetin aktual në Serbi për, siç thonë, përjashtimin e tyre nga vendimmarrja, mungesën e transparencës në mënyrën se si shpenzohen paratë që Serbia ndan për Kosovën, si dhe për kontroll politik përmes punësimit.

Përveç aktorëve opozitarë në nivel lokal, Listën Studentore e mbështet edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ministër në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Ai, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thotë se mbështetja për Listën Studentore është e pakushtëzuar, pasi konsideron se është një pikë kthese “të jesh apo të mos jesh” për të gjithë serbët që jetojnë në vendet e rajonit, e në veçanti për ata në Kosovë.

Lëvizja Studentore në Serbi publikoi më herët një memorandum, në të cilin thuhet se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë” – gjë që nxiti kritika nga një pjesë e opinionit publik në Kosovë dhe në Serbi.

Kjo lëvizje u krijua rreth dy vjet më parë, kur studentët në gjithë Serbinë kërkuan përgjegjësi pas vdekjes së 16 personave si pasojë e shembjes së një strehe në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Politologu serb, Ognjen Gogiq, vlerëson se Kosova, deri më tani, nuk është ndër temat kryesore të fushatës parazgjedhore në Serbi.

“Partia në pushtet po përqendrohet më shumë te votuesit në Serbi, të cilët janë më të shumtë sesa në Kosovë, prandaj është e mundur që aktiviteti i pushtetit për mobilizimin e serbëve të Kosovës të jetë disi më i vogël, pasi ata, thjesht, nuk përbëjnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai, gjithashtu, vëren se mbështetja për Listën Studentore nga Kosova nuk ka marrë vëmendje në Serbi dhe se as vetë lëvizja nuk e ka vënë në pah atë.

“Çështja është se sa qytetarë të Serbisë janë fare në dijeni të kësaj mbështetjeje; duket sikur Kosova nuk është vënë në plan të parë”, shton Gogiq.

Lista Serbe: Mbështetja për listën e Vuçiqit është e rëndësishme për serbët në Kosovë

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila u formua me mbështetjen e Beogradit dhe të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në Serbi, thotë se mbështetja për listën Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar është e rëndësishme për “vazhdimin e mbështetjes institucionale, mbrojtjen e interesave kombëtare serbe dhe ruajtjen e të drejtave, sigurisë dhe kushteve, që populli serb të qëndrojë dhe të vazhdojë të jetojë në këto hapësira”.

Lista Serbe, aktualisht, udhëheq të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa në Kuvendin e Kosovës mban nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb.

Shumë zyrtarë të kësaj partie mbajnë njëkohësisht edhe poste në institucionet e Serbisë.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, për shembull, drejton Qendrën Klinike-Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

“Fitorja e listës Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar nënkupton vazhdimin e politikës së zhvillimit ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e pagave dhe pensioneve, investime të mëtejshme në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë, si dhe mbështetje më të madhe për familjet serbe dhe komunitetet lokale në Kosovë”, sipas Listës Serbe.

Rashiq: Të gjitha kapacitetet po i drejtojmë në mbështetje të Listës Studentore

Rashiq thotë se Partia e tij, për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka vendosur që “me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, ta mbështesë fuqishëm Listën Studentore” në zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

Ai shpjegon se gjatë fushatës zgjedhore do t’i mobilizojë edhe mbështetësit e tij që më 25 tetor të ndajnë kohë për të votuar.

“Pavarësisht se kjo nënkupton të ndahen disa orë për të votuar në Kurshumli apo kudo tjetër, ekziston një vullnet i madh mes mbështetësve tanë për të ndihmuar në këtë proces. Ne do të përdorim metoda të zakonshme, nga angazhimi personal deri tek organizimi i shkuarjes së përbashkët në vendvotime”, thotë Rashiq.

Rashiq thotë se motivi kryesor i partisë së tij për ta mbështetur Listën Studentore në zgjedhjet në Serbi, është ndryshimi i politikës së Beogradit zyrtar ndaj Kosovës dhe krijimi i mundësisë që komuniteti serb në Kosovë t’i marrë vetë vendimet që e prekin.

“Institucionet e Kosovës janë të vetmet që na kanë mbetur dhe ne duhet të bëhemi një faktor brenda tyre. Do të doja që Beogradi, nëse vjen deri te ndryshimi i pushtetit, ta kuptojë se ne nuk mund të jemi vëzhgues të heshtur, por duhet të përfshihemi edhe në dialogun që zhvillohet në Bruksel”, thotë Rashiq.

Ai thekson se serbët e Kosovës e dinë mirë se çfarë shkruan në Kushtetutën e Serbisë, por edhe në atë të Kosovës, dhe se askush nga Beogradi nuk mund ta njohë më mirë se ata realitetin në terren.

“Komunikimi me serbët e Kosovës duhet të jetë i dyanshëm. Beogradi nuk mund t’i përdorë serbët e Kosovës për interesat e veta, që ata të shërbejnë vetëm si mekanizëm në procesin e afrimit të Serbisë me Bashkimin Evropian”, thotë Rashiq.

Vuçkoviq: Më keq se kaq nuk mund të bëhet

Ivan Vuçkoviq, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Rrënjët”, thotë për Radion Evropa e Lirë se politika shtetërore e Serbisë ndaj Kosovës është e gabuar dhe se autoritetet aktuale e kanë sjellë komunitetin serb në një situatë në të cilën, sipas tij, “po zhduket dalëngadalë”.

Ai thotë se, pas shpalljes së zgjedhjeve në Serbi, nuk e ka parë të nevojshme ta theksojë veçmas mbështetjen për Listën Studentore, pasi, siç shprehet, këtë lëvizje e mbështet që nga themelimi i saj, rreth dy vjet më parë.

“Jam plotësisht i bindur se politika ndaj Kosovës do të ndryshojë nëse ndryshon pushteti [në Serbi]. Ne mbështesim të rinjtë dhe profesionalizmin, ndërsa tani kemi parë edhe listën, e cila i ka konfirmuar pritjet tona. Secili duhet të marrë përgjegjësi dhe të përpiqemi të përballemi me këtë situatë të vështirë. Ne, serbët në Kosovë, jemi në një situatë pa rrugëdalje dhe nuk kam dyshim se diçka do të ndryshojë, sepse më keq se kaq nuk mund të bëhet”, thotë Vuçkoviq.

Gjatë dy-tre vjetëve të fundit, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë janë përballur, ndër të tjera, me mbylljen e institucioneve të Serbisë.

Hapat e autoriteteve të Kosovës për shtrirjen e autoritetit edhe në veri të vendit, ata i kanë interpretuar kryesisht si “formë represioni”.

Lufta kundër korrupsionit, çështje e rëndësishme edhe për serbët në Kosovë

Programi i Listës Studentore është i përqendruar kryesisht në luftën kundër korrupsionit në institucione, ndërsa Vuçkoviq thekson se kjo çështje është e rëndësishme edhe për komunat me shumicë serbe në Kosovë, të cilat udhëhiqen nga Lista Serbe.

“Korrupsioni duhet të çrrënjoset. Paratë që vijnë nga Serbia duhet të shpërndahen në mënyrë më të barabartë. Konkurset duhet të shpallen rregullisht dhe në punë duhet të pranohen më të mirët, e jo më të përshtatshmit politikisht. Në anën tjetër, të gjithë ata që janë të punësuar, duhet të fillojnë edhe të punojnë, e jo vetëm të marrin paga. Duhet të përpiqemi që, përmes një qasjeje tjetër, serbët në Kosovë të marrin përgjegjësinë për të vendosur për jetën e tyre, që propozimet të vijnë prej këtu dhe jo prej Beogradit”, thotë Vuçkoviq.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar disa herë për raste kur paratë e buxhetit të Serbisë të destinuara për Kosovën, janë shpenzuar në mënyra të dyshimta, si dhe për kompani të caktuara që kanë fituar tenderë prej miliona eurosh për projekte që nuk ekzistojnë në terren.

Vuçkoviq, ndër të tjera, pret që, nëse ndryshon pushteti në Serbi, të përballen me përgjegjësi ligjore të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në korrupsion edhe në Kosovë.

Gogiq, në anë tjetër, thotë se është ende herët të flitet për ndryshime të mundshme.

Megjithatë, sipas tij, nëse ndryshon pushteti në Serbi, mund të pritet që të hetohet puna e Listës Serbe në Kosovë, përfshirë mënyrën se si ajo i ka shpenzuar paratë nga buxheti i Serbisë.

“Do të hapet çështja e përgjegjësisë, transparencës dhe politikës ndaj serbëve në Kosovë”, shpreh bindjen Gogiq.

Por, për të nuk është befasi që opozita serbe në Kosovë e mbështet Listën Studentore, pasi këto parti janë kundërshtare të Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e autoriteteve aktuale në Serbi.

Kush tjetër mbështet Listën Studentore?

Lëvizja Popullore Serbe tha se i jep mbështetje të plotë Listës Studentore, pasi, sipas saj, “politika tradhtare dhe menaxhimi i papërgjegjshëm i çështjes së ‘Kosovës e Metohisë’ kanë çuar në situatën në të cilën ndodhemi sot”.

“Kjo nuk është vetëm mbështetje për një listë zgjedhore. Është mbështetje për ndryshimin, përgjegjësinë dhe të drejtën e qytetarëve që të vendosin vetë për të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratë.

Edhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë” u bëri thirrje mbështetësve të saj që ta mbështesin pa rezerva Listën Studentore, duke pretenduar se “Partia Përparimtare Serbe dhe Lista Serbe e kanë sjellë popullin serb në Kosovë në pozitën më të vështirë që nga viti 1999”.

“Institucionet janë shkatërruar, besimi i qytetarëve është tradhtuar, ndërsa hapësira në të cilën jeton populli serb, që sot është më i paktë në numër se kurrë më parë, po ngushtohet çdo ditë. Vazhdimi i një politike të tillë nuk sjell asgjë tjetër përveç humbjeve të mëtejshme, si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për popullin serb në tërësi”, thuhet në deklaratë.

Për të njëjtat arsye, mbështetje për Listën Studentore shprehën edhe Demokracia Serbe dhe Aleanca e Kosovës.

JU REKOMANDOJMË

BE-ja në trevjetorin e sulmit në Banjskë: Serbia të nxjerrë menjëherë para drejtësisë përgjegjësit

BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president
24/09/2026 - 16:10

Bashkimi Evropian në trevjetorin e sulmit në Banjskë ka rikujtuar se ky ka qenë një kërcënim serioz i sigurisë në rajon dhe ka kërkuar nga Serbia që të...

Më shumëDetails

Biseda e familjarit të heroit Afrim Bunjaku me Klestor Veselin: “Kadria na maroi këtë…”

Biseda e familjarit të heroit Afrim Bunjaku me Klestor Veselin: “Kadria na maroi këtë…”
24/09/2026 - 15:36

Familjarët e heroit Afrim Bunjaku pritën sot në takim djemtë e tre ish-krerëve të UÇK-së, Klestor Veselin, Endrit Thaçin dhe Altin Krasniqin. Pas pritjes formale, ata diskutuan me...

Më shumëDetails

Lyrical Son sonte mysafir në natën e nëntë të protestës “Jo në emrin tim”

Lyrical Son sonte mysafir në natën e nëntë të protestës “Jo në emrin tim”
24/09/2026 - 15:33

Artisti i njohur Lyrical Son do të jetë sonte mysafir në protestën “Jo në emrin tim”, e cila mbahet për të nëntën natë me radhë në sheshin “Skënderbeu”...

Më shumëDetails

Parlamenti i Shqipërisë miraton pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në Gaza

Parlamenti i Shqipërisë miraton pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në Gaza
24/09/2026 - 15:26

Pas rikthimit në parlament, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, sinjalizoi kalimin menjëherë në votim dhe u miratuan të gjitha ligjet e propozuara. Pas Votimit seanca u...

Më shumëDetails

Goditet grupi i dyshuar për fajde e kanosje në Prishtinë, këta janë tre të arrestuarit

Pamje: Foto e gjeneruar me AI
24/09/2026 - 15:17

Një aksion i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ka rezultuar me arrestimin e tre personave, të dyshuar për përfshirje në veprat penale...

Më shumëDetails

“Sikur po i shohim ata”, familjari i Afrim Bunjakut emocionohet para djemve të çlirimtarëve

“Sikur po i shohim ata”, familjari i Afrim Bunjakut emocionohet para djemve të çlirimtarëve
24/09/2026 - 15:17

Endrit Thaçi, Altin Krasniqi dhe Klestor Veseli, djemtë e ish-krerëve të UÇK-së, kanë vizituar sot familjen e heroit Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në Banjskë....

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Fituesi merr çelësat e veturës që u dha shpërblim nga Emona Center

    Fituesi merr çelësat e veturës që u dha shpërblim nga Emona Center

    94 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Kryesia e Kuvendit mblidhet nesër, publikohen pikat e rendit të ditës

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Skandali financiar mbi 1 miliard dollarë: Organizatat ndërkombëtare kërkojnë hetim urgjent ndaj Raiffeisen Bank për shkeljen e sanksioneve

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • Mihali e shqetësuar që dështoi plani për zgjedhje në dhjetor

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Biseda e familjarit të heroit Afrim Bunjaku me Klestor Veselin: “Kadria na maroi këtë…”

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë