Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa PDK ka kërkuar reagim institucional lidhur me situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale.
Arian Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë, tha se institucionet duhet të reflektojnë dhe të veprojnë me përgjegjësi, duke kërkuar edhe një deklaratë të përbashkët të Kuvendit.
ahiri tha se ka kërkuar që institucionet e vendit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për t’iu përgjigjur situatës së krijuar pas vendimit të Gjykatës Speciale.
“Me qëllimin për të kërkuar që institucionet, Kuvendi duhet të sillet me përgjegjshmëri, të reflektojë dhe të bëjë veprimet e nevojshme. 16 shtatori ka qenë ditë e zezë për Kosovën. Qytetarët, me shumë të drejtë, po shprehin revoltën përmes protestës. Kjo situatë emergjente dhe urgjente kërkon përgjegjësi institucionale. Veproni, koordinoni, unifikohuni dhe kësaj padrejtësie historike përgjigjuni në mënyrë institucionale”, tha Tahiri.
Ai tha se në mbledhjen e Kryesisë ka kërkuar që Kuvendi të ketë një deklaratë të përbashkët.
“Isha këtu që ta alarmoj situatën, ta kthej fokusin te situata emergjente. Kryesisë i kërkova që, edhe pse shumë e vonuar, Kuvendi ta ketë një deklaratë të përbashkët”, u shpreh Tahiri.












