Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Letrat ia ‘rregulloi’ vëllai i kryesuesit, si e mori biznesmeni nga Prishtina pronën e shtetit në Gjilan për projektin mbi 24-milionësh

25/09/2026 - 13:35
në Lajme
A A
Letrat ia ‘rregulloi’ vëllai i kryesuesit, si e mori biznesmeni nga Prishtina pronën e shtetit në Gjilan për projektin mbi 24-milionësh
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Kompania e biznesmenit Agron Xhaferi po merr në shfrytëzim për 99 vjet 342 metra katrorë pronë komunale në Gjilan, për ta kompletuar parcelën ku planifikohet ndërtimi i një kompleksi afaristo-banesor mbi 25 milionë euro. Në dokumentet që i paraprinë projektit figuron Shkëlqim Latifi, vëllai i kryesueses së Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, e cila thotë se ai nuk është pronar apo aksionar i kompanisë, por ka kryer shërbime teknike për të. Kryesuesja pretendon se procedurat kanë qenë në përputhje me ligjin dhe se Komuna do të kompensohet me 30 për qind të sipërfaqes neto të objektit

Një biznesmen do të realizojë një projekt afaristo-banesor me vlerë mbi 25 milionë euro në Gjilan, ndërsa për kompletimin e parcelave ndërtimore do të shfrytëzojë edhe pronë komunale të dhënë në shfrytëzim për 99 vjet.

Bëhet fjalë për kompaninë “BOC INT” Sh.P.K., në pronësi të Agron Xhaferit, për të cilën Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar dhënien në shfrytëzim të tri pjesëve të parcelave komunale, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 342 metrash katrorë.

Këto prona lidhen me projektin e kompleksit “Vera”, i planifikuar të ndërtohet në rrugën “Nëna Tereza”, ish-Rruga e Prishtinës.

Por, në dokumentet që i kanë paraprirë këtij projekti të cilat i ka siguruar Insajderi, shfaqet edhe emri i Shkëlqim Latifit.

Ai figuron si aplikues në procedurën e parcelimit të lidhur me projektin, ndërsa kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi-Kqiku, ka konfirmuar se Shkëlqim Latifi është vëllai i saj.

Vëllai i Kryesueses figuron në dokumentet e projektit

Lënda për parcelim, është një nga dokumentet që i paraprinë procedurës për kompletimin e parcelave ndërtimore.

Në këtë dokument, si aplikues figuron Shkëlqim Latifi.

Prania e emrit të tij në një procedurë që lidhet me projektin e kompanisë “BOC INT” Sh.P.K. ngre pikëpyetje për rolin e tij në këtë proces, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjen familjare me personin që drejton Kuvendin Komunal, organin që ka votuar për dhënien e pronës.

 

Gazeta Insajderi e ka pyetur kryesuesen Krenare Latifi-Kqiku për rolin e vëllait të saj dhe për raportin e tij me kompaninë përfituese.

Ajo e ka pranuar lidhjen familjare.

“Sa i përket a është i afërm i imi, po, është vëllai im”, ka thënë Latifi-Kqiku.

Megjithatë, ajo ka mohuar se vëllai i saj ka ndonjë pronësi në kompaninë që përfiton nga dhënia në shfrytëzim e pronës komunale.

Sipas saj, Shkëlqim Latifi ka qenë vetëm person i autorizuar për kryerjen e shërbimeve teknike.

“Shkëlqim Latifi ka qenë person i autorizuar për të kryer shërbime, por në asnjë mënyrë nuk është pronar i kompanisë apo aksionar”, ka deklaruar ajo.

Kryesuesja ka thënë gjithashtu se angazhimi i vëllait të saj në këtë kompani ka nisur në vitin 2023.

Sipas saj, kjo ka ndodhur para se ajo të merrte pozitën e kryesueses së Kuvendit Komunal të Gjilanit.

“Për më shumë, ky angazhim i vëllait për ta ndihmuar kompaninë me kryerjen e shërbimeve teknike ka filluar nga viti 2023, atëherë kur unë s’kam qenë kryesuese”, ka thënë Latifi-Kqiku.

Kompania në pronësi të Agron Xhaferit

Përfitues i marrëveshjes me Komunën është kompania “BOC INT” Sh.P.K., pronar i së cilës, sipas dokumenteve dhe përgjigjes së kryesueses, është Agron Xhaferi.

Kryesuesja ka thënë se për pronësinë e kompanisë mund të konsultohen dokumentet noteriale dhe dokumentet e dorëzuara në institucionet komunale.

Ajo ka përmendur se të dhënat mund të verifikohen edhe në drejtoritë komunale, përfshirë Kadastrin, Urbanizmin dhe Shërbimet Publike, si dhe në institucione e ndërmarrje të tjera ku është kërkuar dokumentacion për projektin.

“Pronar i kompanisë është Agron Xhaferi. Mund t’u referoheni dokumenteve noteriale të paraqitura në zyrën e Kryetarit, drejtoritë si Kadastri, Urbanizmi, Shërbimet Publike, por edhe KEK, Hidromoravë, Higjienë, Polici etj., gjithkund ku ka pasur nevojë”, ka thënë ajo.

Kështu, sipas versionit të kryesueses, Shkëlqim Latifi nuk është përfituesi apo pronari i kompanisë, por person i autorizuar për të kryer shërbime për të.

342 metra katrorë të Komunës për një projekt prej mbi 25 milionë eurosh

Dokumentet e procedurës tregojnë se projekti është i përmasave të mëdha. Parashihet ndërtimi i katër lamelave, me mbi 44 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimore.

Sipas propozimit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bëhet fjalë për tri pjesë të parcelave komunale që janë futur në këtë marrëveshje.

E para është një pjesë prej 60 metrash katrorë e ngastrës kadastrale P-70403013-04781-1, e cila në tërësi ka 9,021 metra katrorë.

E dyta është një pjesë prej 132 metrash katrorë e ngastrës P-70403013-04406-0, e cila në tërësi ka 733 metra katrorë.

Ndërsa pjesa e tretë është prej 150 metrash katrorë e ngastrës P-70403013-04349-1, e cila në tërësi ka 300 metra katrorë.

Në total, bëhet fjalë për 342 metra katrorë pronë komunale.

Dokumenti i Komunës sqaron se këto sipërfaqe nevojiten për kompletimin e truallit dhe parcelës ndërtimore për realizimin e kompleksit afaristo-banesor “Vera”.

Komuna do të marrë 30 për qind të objektit

Në marrëveshjen e miratuar është paraparë që Komuna e Gjilanit të kompensohet me 30 për qind të sipërfaqes neto të objektit.

Në këtë përllogaritje nuk përfshihen muret dhe hapësirat e përbashkëta.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal ka deklaruar se banesat që do t’i marrë Komuna si pjesë e kompensimit do të përdoren për nevoja publike.

“Në përputhje me Planin Zhvillimor të Komunës, interesat e Komunës dhe interesat e banorëve, më saktë komuniteti i cili e ka dhënë pronën në shfrytëzim, Komuna e ka parë si interes që të këmbëjë ose të japë në shfrytëzim këto tri parcela që lidhen me kompleksin banesor dhe Komuna do të përfitojë 30%”, ka thënë ajo.

Sipas saj, banesat e përfituara nga Komuna do të shfrytëzohen për interesa publike.

Vendimi ishte kthyer më herët në procedurë

Sipas kryesueses Latifi-Kqiku, vendimi i fundit nuk është hera e parë që kjo çështje është proceduar në Kuvendin Komunal.

Ajo ka sqaruar se një vendim i mëhershëm ishte trajtuar pas kërkesës së Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Sipas saj, Ministria kishte kërkuar që prona të shpallej në faqen zyrtare si interes publik për Komunën.

Pas përfundimit të afateve ligjore, sipas kryesueses, çështja është rikthyer në Kuvend për vendimmarrje.

“Për sqarim, ky është vendimi i dytë që kalon në Kuvend. Vitin e kaluar, me kërkesën e Ministrisë së Pushtetit Lokal, kanë kërkuar që prona të shpallet në faqen zyrtare si interes publik për Komunën dhe, pas të gjitha afateve ligjore, e kemi sjellë prapë në Kuvend”, ka deklaruar ajo.

Ajo këmbëngul se gjatë gjithë procedurës janë respektuar hapat e paraparë me ligj.

“Nuk paraqet konflikt interesi”

Çështja e lidhjes familjare është një nga pikat për të cilat Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga kryesuesja e Kuvendit.

Latifi-Kqiku e ka pranuar se personi që figuron në dokumentet e parcelimit është vëllai i saj, por ka argumentuar se kjo, sipas saj, nuk paraqet konflikt interesi, pasi ai nuk është pronar apo aksionar i kompanisë.

“Po, është vëllai im, por nuk paraqet konflikt interesi, sepse nuk është pronar i kompanisë”, ka thënë ajo.

Ajo është mbështetur edhe në faktin se angazhimi i tij me kompaninë ka nisur para se ajo të merrte pozitën e kryesueses.

Megjithatë, emri i tij figuron në një dokument të rëndësishëm të procedurës, atë të parcelimit, ndërsa kompania për të cilën ai ka kryer shërbime është pikërisht ajo që tashmë përfiton nga dhënia në shfrytëzim e pronës komunale.

Komuna thotë se prona publike do ta rrisë vlerën

Në arsyetimin e vendimit, Komuna e Gjilanit thotë se përfshirja e pronës komunale në projekt bëhet në funksion të shfrytëzimit të saj sipas planifikimit hapësinor dhe ruajtjes e rritjes së vlerës së pronës publike.

Sipas këtij arsyetimi, me lejimin e ndërtimit edhe në këto pjesë të parcelave komunale, Komuna do të kompensohet me sipërfaqe të krijuar në ndërtesën e re, sipas kushteve të ndërtimit dhe lejes ndërtimore.

“Me lejimin e ndërtimit në këto pjesë të parcelave komunale, komuna do të kompenzohet me sipërfaqen e krijuar në ndërtesën e re sipas kushteve të ndërtimit dhe lejës ndërtimore dhe do të rritet vlera e pronës komunale në këtë zonë të ndërtimit”.

Në dokument thuhet se në këtë mënyrë do të rritet edhe vlera e pronës komunale në këtë zonë.

Kjo është baza mbi të cilën Komuna e ka propozuar dhënien në shfrytëzim të tri pjesëve të parcelave.

Sipas vendimit të miratuar, ai hyn në fuqi 30 ditë pas regjistrimit në zyrën e protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe publikimit në gjuhët zyrtare në ueb-faqen e Komunës./Insajderi.org/

JU REKOMANDOJMË

Haxhiu: Zgjedhjet nuk i ndihmojnë as Kosovës, as atyre që janë në Hagë

Haxhiu: Zgjedhjet nuk i ndihmojnë as Kosovës, as atyre që janë në Hagë
25/09/2026 - 13:21

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së nuk janë konsultuar lidhur me projektligjin për Dhomat e Specializuara. Duke folur pas mbledhjes...

Më shumëDetails

Rusia paralajmëron një “operacion të ri special ushtarak”

Rusia paralajmëron një “operacion të ri special ushtarak”
25/09/2026 - 13:19

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti ka publikuar një koment me titullin “Rusia përballet me një tjetër operacion special ushtarak. Ai do të jetë shumë i shkurtër”,...

Më shumëDetails

Tahiri: Nënkryetari i Kuvendit nga PDK do të zgjidhet të hënën

Tahiri: Nënkryetari i Kuvendit nga PDK do të zgjidhet të hënën
25/09/2026 - 13:17

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, tha se nënkryetari i PDK-së do të zgjidhet të hënën. “Nënkryetari i...

Më shumëDetails

Haxhiu për kërkesën e PDK-së për Specialen: Refuzoj të mbështes iniciativa që kanë qëllim vetëm të duket se po bëjmë diçka

Haxhiu për kërkesën e PDK-së për Specialen: Refuzoj të mbështes iniciativa që kanë qëllim vetëm të duket se po bëjmë diçka
25/09/2026 - 13:13

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se nuk ka pasur deri tani ndonjë kërkesë të proceduar për seancë të...

Më shumëDetails

Besnik Tahiri: Aleanca e përkrah PDK’në në ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Tahiri: Nuk e shoh Vetëvendosjen me mbi dyzetë deputetë
25/09/2026 - 13:10

Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se në takimin e Kryesisë së Kuvendit ka dhënë përkrahjen e Aleancës për Partinë Demokratike të Kosovës për...

Më shumëDetails

Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë: 16 shtatori ishte ditë e zezë për Kosovën, Kuvendi duhet të reagojë

Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë: 16 shtatori ishte ditë e zezë për Kosovën, Kuvendi duhet të reagojë
25/09/2026 - 12:55

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa PDK ka kërkuar reagim institucional lidhur me situatën e krijuar pas vendimit...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Publikohet për herë të parë snajperi me të cilin policët qëlluan terroristët serbë me 24 shtator

    Publikohet për herë të parë snajperi me të cilin policët qëlluan terroristët serbë me 24 shtator

    182 Shpërndaje
    Shpërndaje 73 Tweet 46
  • Biseda e familjarit të heroit Afrim Bunjaku me Klestor Veselin: “Kadria na maroi këtë…”

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • Goditet grupi i dyshuar për fajde e kanosje në Prishtinë, këta janë tre të arrestuarit

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • A do të marrë pjesë në protestat kundër vendimit të Speciales? Kjo është përgjigjja e Kurtit

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • Haxhiu e ka dërguar në Qeveri projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë