Dënimet me nga 25 vjet burgim të shqiptuara ndaj Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, së bashku me dënimet për Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, janë të rënda. Por ajo çfarë i ka shkaktuar Kosovës tronditjen politike, morale dhe shoqërore më të madhe që nga lufta e fundit dhe krimet serbe të kryera atëkohë nuk janë aq dënimet individuale sa është cilësimi i UÇK si organizatë kriminale. Për më shumë se një dekadë, elita politike e Kosovës jetoi me besimin naiv se themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë dhe bashkëpunimi me të do të kënaqte bashkësinë ndërkombëtare dhe do të pastronte luftën çlirimtare të UÇK nga pretendimet e ngritura në raportin e Dick Martyt të vitit 2011 në Këshillin e Evropës. Iluzionet dhe besimet naive duhet të marrin fund dhe Gjykata Speciale duhet të shihet në mënyrë realiste se çfarë është me të vërtetë. Ajo është vazhdimësi e luftës kundër UÇK, tani vetëm me mjete juridike dhe nën petkun e kinse drejtësisë ndërkombëtare.
Shkruan: Robert Muharremi
Origjina e kësaj lufte speciale kundër UÇK nuk është Raporti i Dick Marty, por shkon më thellë. Pak ditë pas shpalljes së pavarisësë së Kosovës, më 15 prill 2008, zyrtari i lartë rus Konstantin Kosachev paraqiti në Këshillin e Evropës mocionin (Dokumenti 11574) që hapi rrugën për Raportin e Dick Marty. Ky mocion u mbështet në pretendimet e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, e cila në librin e saj ngriti pretendime për “trafikimin e organeve” nga UÇK-ja, të cilat kinse janë fshehur me ndihmen e amerikanëve. Del Ponte haptazi mbante inat personal me amerikanët të cilët i akuzonte për ndërhyrje në hetime dhe pengimin e punës së saj. Rusët përmes mocionit të Kosachev arritën që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të emëronte një raportues. Ky u caktua Dick Marty, i cili veç ishte i njohur për qasjen e tij anti-amerikane të manifestuar në raportet e tij të vitit 2006 dhe 2007 për kinse burgjet sekrete të CIA nëpër Evropë. Paraqitja e UÇK-së si “organizatë kriminale” synonte të delegjitimonte luftën çlirimtare të UÇK dhe vetë themelet e shtetësisë së saposhpallur të Kosovës. Rusia i përdori këto pretendime për të paraqitur SHBA-në dhe aleatët e saj si bashkëpunëtorë në krim që mbyllnin sytë para krimeve të pretenduara të UÇK për hir të stabilitetit rajonal.
Pas një presioni marramendës diplomatik dhe politik nga ShBA dhe shtetet e BE, Gjykata Speciale iu imponua Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 nën premisën e qartë se do të hetojë dhe gjykojë pretendimet që janë ngritur në raportin e Dick Marty dhe mbi të gjitha akuzat për trafikim organesh. Sipas Jason Steinbaum, bashkëpunëtorit të Kongresmenit Elliot Engel, amerikanët, konkretisht administrata e Obamës, pranuan themelimin e Gjykatës Speciale sepse kishin nevojë për mbështetjen ruse për arritjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Duke besuar në funksionimin e drejtësisë dhe se do të kontrollonin gjykatën, duket se i bënë premtime Kosovës që nuk ishin në gjendje t’i mbanin dhe kështu, përmes një kombinimi të lajthitjes dhe presionit, e bënë Kosovën të pranojë themelimin e Gjykatës Speciale. Duket se edhe inatet mes amerikanëve e shndërruan Gjykatën Speciale në arenë lufte dhe Kosovën viktimë në këtë mes. Duhet vetëm kujtuar prokurorin Jack Smith i cili bëri çmos të ndjek penalisht Presidentin Trump dhe i cili ishte protagonisti kryesor në ndjekjen penale të Thaçit. Smith në vitin 2020 mënyrë të paautorizuar paraqiti në media që kundër Thaçit është ngritur aktakuzë, e cila ishte ende në shqyrtim të gjykatës, vetëm për të sabotuar përpjekjen e Presidentit Trump që në prani të tij të takohen Thaçi dhe Vuçiçi për të gjetur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Thaçi ishte rrugës për në SHBA dhe u detyrua të kthehet.
Megjithatë, narrativa e trafikimit të organeve u zhduk herët. Në vitin 2014, task forca e ngritur nga EULEX për të hetuar pretentimet e ngritura nga Dick Marty e pranoi se pretendimet për trafikim organesh kanë qenë të zmadhuara dhe nga një tregim horrori mbetem vetëm disa raste aty-këtu të trafikimit të organeve edhe ato me dyshim. Çka është po ashtu e rëndësishme, Gjykata Speciale tani rrëzoi çdo pikë të aktakuzës për krime kundër njerëzimit, duke konstatuar se prokuroria nuk arriti të dëshmojë ekzistencën e një sulmi të gjerë apo sistematik kundër popullatës civile.
Pavarësisht shfajësimit të UÇK-së nga trafikimi i organeve dhe krimet sistematike kundër njerëzimit, Gjykata Speciale, plotësisht në kundërshtim me vendimet e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë në rastet Haradinaj dhe Limaj, e cilësoi UÇK si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Çka filloi si hetim për trafikim organesh përfundoi në përndjekje kriminale dhe kriminalizim të UÇK-së. Çfarë Serbia nuk arriti me luftë, gjenocid dhe propagandë, e arriti Gjykata Speciale në emër të popullit të Kosovës. Ky përfundim është pasojë e drejtpërdrejtë e themelimit të një institucioni të cilin asnjë shtet nuk do ta pranonte si të tillë, por çfarë të bësh kur je i vogël, i dobët dhe – më e keqja – i beson mikut.
Kur SHBA u përballën me hetime për veprimet e tyre në Afganistan, ato miratuan Aktin për Mbrojtjen e Pjesëtarëve të Shërbimit Amerikan, i njohur gjerësisht si “Ligji për Pushtimin e Hagës”, i cili ndalon çdo bashkëpunim me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe ndalon dorëzimin e shtetasve amerikanë. Amerikanët tani haptazi po kërkojnë shuarjen e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Mbretëria e Bashkuar vendosi me ligj kufizime për të penguar ndjekjen penale të ushtarëve të saj për operacionet jashtë vendit. Izraeli i mbron ushtarët e tij nga përndjekja penale ndërkombëtare, duke insistuar se gjykatat e saj vendore gëzojnë primatin ekskluziv për këtë. Gjermanët pas luftës së dytë botërore dhe pas gjykimit të Nurembergut i falën dhe amnistuan pothuajse të gjithë nazistët dhe i lejuan të marrin poste të larta shtetërore. Amerikanët bënë çmos për të përjashtuar perandorin japonez nga gjykimi i tribunalit të Tokjos sepse u nevojitej për të ruajtur stabilitetin politik në Japoni. Vetë Presidenti Trump në vitin 2019 fali ushtarë amerikanë të akuzuar për krime lufte ndërsa në vitin 2020 fali edhe kontraktorë privat të përfshirë në krime lufte. Kosova u detyrua të bëjë krejt të kundërtën; të themelojë dhe ta durojë një gjykatë plotësisht të njëanshsme, me personel tërësisht të huaj, të zhvendosur në një qytet të huaj, pa asnjë gjykatës, prokuror apo jurist kosovar, pa mundësi falje apo amnestie, por që funksionon nën ombrellën kushtetuese të Kosovës dhe gjykon në emër të popullit të Kosovës.
Në vitin 2022, Paneli Kushtetues i Gjykatës Speciale vërtetoi se të gjitha akuzat e ngritura kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit ishin jashtë raportit të Dick Marty. Mirëpo, ky panel po ashtu vërtetoi se kompetenca e Gjykatës Speciale nuk përcaktohet as nga Kushtetuta e as nga Letërkëmbimi mes Kosovës dhe BE-së të vitit 2014, por përcaktohet vetëm në ligjin për gjykatën speciale. Ky panel shprehimsht tha se nëse ligjvënësi (Kuvendi i Kosovës) do të donte të kufizonte kompetencën e Gjykatës Speciale në pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty, do ta kishte bërë këtë në ligj. Me fjalë të tjera, Kuvendi mund të kufizojë kur të dojë Gjykatën Speciale të merret vetëm me pretendimet specifike në raport dhe me asgjë tjetër. Ky është çelësi juridik për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale tani në Kuvendin e Kosovës, sepse sipas vet Gjykatës Speciale kompetenca e saj mund të kufizohet përmes ndryshimit të ligjit pa pasur nevojë të ndryshohet Kushtetuta apo Letërkëmbimi me BE. Nuk na ka faj askush që nuk i lexojmë me vëmendje vendimet e Gjykatës Speciale, sepse kemi mundur ta kufizojmë kompetencen e saj me ligj që nga viti 2022 dhe me gjasë sot nuk do të kishim UÇK të cilësuar si organizatë kriminale.
Po nëse kjo Gjykatë paska kompetencë për të hetuar dhe gjykuar edhe përtej raportit të Dick Marty, përse atëherë heton dhe gjykon vetëm shqiptarët? Pse jo edhe serbet dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera? Sepse nuk është vetëm gjykatë kundër UÇK, por haptazi edhe anti-shqiptare. Ne po ashtu lejuam që Gjykata Speciale të gjykojë mbi historinë tonë pa i kërkuar asaj që t’i jep përgjegjësi institucioneve demokratike të Kosovës. Kuvendi, Qeveria dhe gjykatat tona, besa edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që kanë legjitimitein demokratik, u përjashtuan dhe u pozicionuan në rolin e spektatorit. Duke ia nënshtruar tërë rendin e saj juridik një institucioni të huaj dhe të papërgjegjshëm në Hagë, Kosova në fakt i ka poshtëruar dhe degraduar institucionet e veta gjyqësore.
Pasojat politike dhe juridike të këtij aktgjykimi janë të rënda. Serbia dhe aleatët e saj do të shfrytëzojnë dënimet dhe cilësimin e UÇK si organizatë kriminale për të pretenduar se Republika e Kosovës është produkt i një ndërmarrjeje kriminale, duke e përdorur këtë vendim si armë për të kontestuar autoritetin politik dhe moral dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Përveç kësaj, aktgjykimi kërcënon ta helmojë skenën politike të brendshme, duke i futur taborët politike në një lojë të kotë fajësimi se kush e mundësoi krijimin e gjykatës, dhe duke i hapur plagët e vjetra, në vend që të ndërtohet një strategji e përbashkët shtetërore për të mbrojtur dinjitetin e popullit shqiptar të Kosovës, simbol i të cilit është UÇK.
Për këto arsye është më se e nevojshme që të kufizohet kompetenca e Gjykatës Speciale dhe çdo rast që nuk ka të bëjë specifikisht me pretendimet konkrete të ngritura në raportin e Dick Marty duhet t’i kalojë menjëherë gjykatave të rregullta të Kosovës, e jo të pritet përfundimi i apelit, siç është paraparë tani në projekt-ligjin e parashtruar në Kuvendin e Kosovës.
Procesi në shkallën e apelit duhet të luftohet nga ekipet mbrojtëse, por Kuvendi i Kosovës duhet të bëjë atë që duhej bërë vite më parë, e që është të ushtrojë autoritetin e tij sovran kushtetues për të përcaktuar kufijtë ligjorë të Gjykatës Speciale. Në apel nuk gjykohet vetëm individi por prapë gjykohet UÇK dhe kjo nuk i takon Gjykatës Speciale. Deri sa në rastin e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës grupe të caktuara brenda UÇK u cilësuan si organizatë kriminale, në rastin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit kriminalizohet e tërë UÇK. Kam frikë se besimi në drejtësinë e Gjykatës Speciale, se në apel do të korrigjojë gjykimin e shkallës së parë, është po aq naiv sa ka qenë besimi në drejtësinë e Gjykatës Speciale kur u themelua. Po dëgjohen nga disa se rasti do të përfundojë sikur rasti i Ante Gotovinës. Është marrëzi të mendosh se pse u lirua Ante Gotovina në apel tani do të lirohen edhe Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, sepse rrethanat e rasteve janë krejtësisht tjera. Përveç kësaj, a e liroi Gjykata Speciale Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën në apel? Jo. A e hoq cilësimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale në apel? Jo. Pse do ta bënte tash në të njëjtin apel? A nuk po e shohin udhëheqësit tanë politik që kjo gjykatë është themeluar për të kriminalizuar UÇK? Vetëm fakti që gjasat janë 50-50 që në apel UÇK prapë të cilësohet si organizatë kriminale mjafton me ja kufizuar Gjykatës Speciale kompetecat dhe rasti të kthehet te gjykatat e rregullta të Kosovës për gjykim në apel. Nëse duhet një gjykatë të vendos për UÇK le të jetë kjo gjykatë e cila me të vërtetë ka legjitimitet demokratik të deklarohet në emër të popullit. Duhet kuptuar mirë e qartë se ky gjykim vetëm sipërfaqësisht ka të bëjë me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin dhe se caku i vërtetë është UÇK dhe Kosova, dhe nuk luhet bixhoz kur këto janë në pyetje.
Sovraniteti nuk është një diçka që shënohet vetëm me deklarata, festa të pavarësisë dhe këngë popullore. Sovraniteti është e drejta dhe përgjegjësia e shtetit për të mbrojtur identitetin e vet me ato forca që ka. Eksperimenti i Hagës e ka konsumuar vetën dhe duhet t’i vijë fundi sepse ka prekur aty ku nuk ka të drejtë të prekë asnjë i huaj. Nëse Kosova nuk e vendos vijën e kuqe tani, do t’ju lejmë barrën gjeneratave të ardhshme të kërkojnë falje pse jemi çliruar, dhe kjo nuk do të na falet kurrë.












