Komuniteti shqiptar në Texas, të hënën në orën 13:00, sipas kohës lokale, do të zhvillojë një protestë në Austin kundër verdiktit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komuniteti shqiptar në Texas është ndër komunitetet aktive shqiptare në SHBA, me angazhim të vazhdueshëm në jetën publike, kulturore dhe komunitare të shtetit.
Protesta synon të shprehë kundërshtimin e komunitetit shqiptar në SHBA lidhur me vendimin e gjykatës dhe ta rikujtojë rolin e UÇK-së për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe për lirinë e Kosovës.
Ndryshe, kongresisti amerikan nga Texas, Keith Self, dy ditë para shpalljes së aktgjykimit, më 14 shtator, shprehu shqetësimin për ndikimin e mundshëm të “anshmërisë politike” në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë në Hagë.
“Shpresoj që një anshmëri e tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të merret vendimi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi pas viteve të shtypjes serbe”, shkroi Self në X.
Protesta do të mbahet në Austin, ku komuniteti shqiptar do të përcjellë mesazhin në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe krerëve të saj.















