Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë personave, të cilët dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Nëntë të dyshuarit janë arrestuar dje në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa sipas dyshimeve të paraqitura nga Prokuroria Speciale, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin Potok.
Personat me inicialet D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. janë përfshirë në kërkesën për caktimin e paraburgimit.
Kërkesa e Prokurorisë Speciale është bërë në bazë të provave dhe të dhënave të mbledhura gjatë procedurës hetimore deri në këtë fazë.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore dhe procedurat në kuadër të kompetencave të saj ligjore, duke respektuar të drejtat e të gjithë personave të përfshirë në procedurë, si dhe konfidencialitetin e informacionit që nuk mund të bëhet publik në këtë fazë.













