Skandali që ka përfshirë kompozitorin Ardian Hila, pas publikimit të videove intime me disa personazhe të njohura publike vijon të shkaktojë reagime të forta në rrjet.
Këtë herë ka reaguar edhe gazetari Olti Curri, i cili ka bërë një deklaratë tronditëse lidhur me gjendjen psikologjike të grave të përfshira në këtë ngjarje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Curri thekson se viktimat e vërteta të publikimit të këtyre materialeve janë gratë që, sipas tij, nuk kanë pasur dijeni se po filmoheshin gjatë momenteve intime.
Ai shprehet se dy prej tyre kanë tentuar t’i japin fund jetës, duke shtuar se miqtë dhe familjarët po u qëndrojnë pranë gjatë gjithë kohës.
“Duhet të marrin ndihmë urgjente nga psikologët dhe psikiatrit, sepse, mesa di prej miqve të përbashkët, dy prej tyre kanë tentuar vetëvrasjen dhe miq e familjarë po u qëndrojnë 24/24 pranë për t’u shpëtuar jetën”,- shkruan Curri.
Gazetari u bën thirrje grave të denoncojnë personin që ka regjistruar intimitetin e tyre pa dijeninë e tyre, si dhe të kërkojnë dëmshpërblim për pasojat që mund të ketë kjo ngjarje në jetën personale dhe profesionale.
Në reagimin e tij, Curri i drejtohet edhe publikut, duke kërkuar që videot të mos shpërndahen më tej, pasi, sipas tij, intimiteti i njerëzve nuk duhet të kthehet në spektakël.
“Opinioni publik duhet të sensibilizohet dhe videot të mos përhapen, sepse intimiteti i njerëzve nuk është spektakël dhe shpërndarja e videove rëndon situatën”, thekson ai.
Në fund, Curri u bën thirrje familjarëve dhe miqve të viktimave që t’u qëndrojnë pranë në këtë periudhë të vështirë, duke nënvizuar se pasojat emocionale të një situate të tillë janë individuale dhe nuk përjetohen njësoj nga të gjithë.
Deklarata e Oltit ka rikthyer në vëmendje pasojat e rënda që mund të sjellë publikimi dhe shpërndarja pa pëlqim e materialeve intime./ Zoom.al














