Haxhiu e ka cilësuar marrëveshjen si një “vendim të pjekur politik”, duke theksuar se ajo e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi interesat partiake.
Ajo ka përgëzuar drejtuesit e subjekteve politike për arritjen e marrëveshjes, duke vlerësuar se bashkimi i tyre mund të ndikojë në forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Luginë.
Në reagimin e saj, Haxhiu ka ngritur edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Ajo ka përmendur pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave dhe nënpërfaqësimin në institucionet publike, si dhe, sipas saj, kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve dhe përjashtimin ekonomik.
Haxhiu ka bërë krahasim edhe me të drejtat që komuniteti serb gëzon në Kosovë, duke theksuar se komuniteti serb ka 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, një nënkryetar të Kuvendit dhe së paku një ministër në Qeveri.
“Në këto rrethana, bashkimi është i domosdoshëm. Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe se do të shtohet edhe mbështetja institucionale për ta.
Në fund, Haxhiu u ka uruar sukses kandidatëve të listës së përbashkët, duke theksuar se në zgjedhjet e 25 tetorit “vota e secilit shqiptar të Luginës do të ketë peshë”.













