Më herët, Gruda tha se, me ndryshimet që kanë propozuar në ligj, Dhomës së Specializuar Kushtetuese i është hequr shprehimisht kompetenca për kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit, në çfarëdo forme.
Lidhur me këtë, Koci shkroi se shprehja “në përputhje me ligjin e veçantë” nuk do të thotë që Kuvendi, përmes një ligji, të bartë kompetencën nga njëra përbërje e Gjykatës, te tjetra.
“Këtu është problemi: edhe vetë dispozita që synon me ia heqë kompetencën Dhomës në Hagë mund të kundërshtohet para saj, me arsyetimin se bie ndesh me nenin 162(3) të Kushtetutës” thotë Koci.
Sipas avokatit, që të ndihmohen çlirimtarët, duhen hapa juridikë të menduar mirë.
Ky është reagimi i plotë i avokatit:
Mos u ngut, z. Gruda: miratimi i ndryshimeve në Kuvend nuk garanton se ato nuk do të shqyrtohen në Hagë.
Kompetenca e Dhomës së Specializuar Kushtetuese në Hagë ka bazë në nenin 162(3) të Kushtetutës. Me ndryshimet e propozuara, kësaj Dhome synohet t’i hiqet kompetenca me shqyrtu nëse Ligji për Specialen dhe ndryshimet e tij janë në pajtim me Kushtetutën. Këtë shqyrtim parashihet ta bëjë Gjykata Kushtetuese në përbërjen e saj të rregullt në Prishtinë.
Por shprehja “në përputhje me ligjin e veçantë” nuk do të thotë vetvetiu se Kuvendi mundet, përmes një ligji, me e bartë këtë kompetencë nga njëra përbërje e Gjykatës te tjetra. Këtu është problemi: edhe vetë dispozita që synon me ia heqë kompetencën Dhomës në Hagë mund të kundërshtohet para saj, me arsyetimin se bie ndesh me nenin 162(3) të Kushtetutës.
Për mua, deputetët që votuan pro këtij rregullimi kushtetues më 2015 gabuan. Sot nuk na lejohet me gabu prapë.
Çlirimtarëve tanë ua dua të mirën. Për me iu ndihmu, na duhen hapa juridikë të menduar mirë dhe punë profesionale.
Pasojat duhet me i peshu para se me vepru.












