Në fokus të diskutimeve janë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, për të cilat pritet votimi në të gjitha nivelet, si dhe çështja e zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës.
Pak para takimit me Kurtin, Hamza deklaroi se fillimisht duhet të miratohet ligji, duke theksuar se procesi duhet të përfundojë në të gjitha nivelet, përfshirë të dy leximet dhe shqyrtimin në komisionet përkatëse.
“Fillimisht duhet me u aprovu ligji dhe po e ritheksoj që me u aprovu në të gjitha nivelet, në të dy leximet e në të gjitha komisionet. Pastaj, ne jemi të hapur që të bisedojmë për çështjen e presidentit. Ne besojmë që ligji duhet me u aprovu, vendi duhet të ketë president, e më pas të kthehemi në obligimet tona si deputetë”, kishte deklaruar Hamza.
Ndërkohë, Kurti dhe Abdixhiku nuk janë deklaruar për përmbajtjen e takimit të zhvilluar më herët në Kuvend.












