Kur Kosova po i afrohet afatit të fundit për zgjedhjen e presidentit, në Kuvend kanë mbetur pa u miratuar një varg projektligjesh dhe marrëveshjesh ndërkombëtare me rëndësi për vendin.
Njohësit e fushës kërkojnë që para 6 tetorit të trajtohen çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, financa dhe përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
E pyetur për këtë, ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se projektligjet do të trajtohen së shpejti në parlament.
Mes ligjeve, ai për ndarjet buxhetore, ligjet për Planin e Rritjes si dhe marrëveshjet ndërkombëtare, kërkohet që të trajtohen më së largu në fillim të javës së ardhshme.
E në listën e çështjeve që po kërkohet vëmendje është edhe projektligji për Dhomat e Specializuara.
“Do të duhej që disa çështje kryesore të shkonin përpara. Veçanërisht ligjet që lidhen me Planin e Rritjes, ligji për ndarjet buxhetore, dy-tri ligje që mund të lidhen me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Do të duhej t’i kushtohej kujdes të veçantë edhe projektligjit për Dhomat e Specializuara”, tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në IKD.
Por për miratimin e disa prej këtyre ligjeve, nevojiten edhe votat e opozitës.
Për ekspertët, një krizë e re politike nuk nënkupton vetëm zgjedhje të reja, por edhe ngadalësim të reformave, vonesa në miratimin e ligjeve që prekin jetën e qytetarëve e humbje të miliona eurove.












