Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është pyetur nëse do të ketë votë për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës në rast se votohet ligji për Dhomat e Specializuara në të dy leximet, raporton Ekonomia Online.
Hamza ka thënë se çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ajo e zgjedhjes së presidentit janë dy çështje të ndara.
“E para, duhet me i nda këto dy gjëra. Çështja e ligjit dhe çështja e presidentit janë gjëra të ndara. Ligji është nevojë. Ligji e adreson një çështje që i kalon përmasat e një subjektit politik, e një mandatit të një qeverie. Çështjet e individëve, qytetarëve, është një ligj që kërkon drejtësi edhe me u vërtetuar ajo çka është pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka qenë një luftë e imponuar, populli i Kosovës është organizuar për mbrojtjen e të drejtave të veta, për liri, për pavarësi, për shtet dhe ligji nuk ka të bëjë me një parti politike, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me mbrojtjen e të vërtetës historike”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se ligji, sipas tij, nuk duhet të lidhet me marrëveshje apo pazare politike për zgjedhjen e presidentit.
“Prandaj këtu po flasim për mbrojtjen e të vërtetës historike. E pastaj, normalisht që pasi që veçse afatet kushtetuese po afrohen për presidentin, gjithmonë partitë politike janë për me biseduar edhe për çështjen qysh me i dhënë vendit institucione. Por nuk është që Partia Demokratike e trajton edhe e konsideron edhe e lejon që kjo çështje të trajtohet në nivel të pazareve politike. Është çështje tjetër puna e ligjit dhe është çështje tjetër puna e presidentit”, ka thënë kryetari i PDK-së.














