Pas asamblistit të Obiliqit nga radhët e LDK-së, vjen edhe dorëheqja e radhës nga kjo parti pasi LDK mori pjesë bë seancën për ndryshimet ligjore mbi Gjykatën Speciale, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Vlora Mjekiqi Kabashi, asambliste në Obiliq nga LDK, kryetare e forumit të gruas në këtë komunë si dhe delegate në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në këtë parti.
Arsyeja e dorëheqjes ka shpjeguar Mjekiqi Kabashi është vendimi i LDK-së për të mos e mbështetur ligjin për Gjykatën Speciale.
“E vetëdishme se Lufta e UÇK-së ishte Luftë për Liri e mbështetur edhe nga SHBA dhe NATO-ja, dhe e bindur se Liria është më shumë se çdo përkatësi partiake. Pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se Liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK.” – shkruan ajo.
Postimi i plotë:
Të nderuar bashkëqytetar të komunës së Obiliqit, që me votën tuaj më keni besuar të jem asambleiste e Kuvendit Komunal të Obiliqit.
Njiherit jam Kryetare e Forumit të Gruas, nga radhët e LDK-së, Dega në Obiliq, dhe jam Delegate në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së.
E vetëdishme se Lufta e UÇK-së ishte Luftë për Liri e mbështetur edhe nga SHBA dhe NATO-ja, dhe e bindur se Liria është më shumë se çdo përkatësi partiake. Pasi LDK-ja nuk e mbështeti këtë parim themelor se Liria është mbi çdo parti, jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha detyrat dhe funksionet që kam në LDK.
Prandaj nga sot e tutje jam asambleiste e pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit!
Ju falenderoj për besimin që më keni dhënë.














