Kryeministri Albin Kurti e bëri një “ofertë shtesë” për Partinë Demokratike të Kosovës në një konferencë për media në Qeveri.
Kurti e ktheu emrin e Bekim Sejdiut për President, ndërsa tha se do ta votinin projektligjin që parasheh ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në lexim të dytë nëse PDK-ja zotohet se i siguron gjysmën e votave të deputetëve të tyre për ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete: Nëse Partia Demokratike e Kosovës zotohet publikisht se i sigurojnë së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun – meqenëse pjesën tjetër i kemi bashkë me LDK-në – atëherë ne po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Por kërkojmë nga PDK-ja publikisht – meqenëse s’po mund t’i takojmë më – të zotohen para jush se së paku gjysmën e grupit parlamentar mund të na i sjellin në seancë e të votojnë qoftë edhe kundër për Bekim Sejdiun”, tha ai.
Një takim i mbrëmshëm në Kuvend mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza përfundoi sërish pa sukses.
Jashtë Qeverisë po qëndrojnë edhe sot protestues, të cilët kërkojnë që të votohet përfundimisht projektligji që parasheh ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi ai u miratua dje paradite në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Mbrëmë protesta eskaloi pas ndërhyrjes së policisë për t’i mundësuar kryeministrit që të largohej nga Kuvendi, pas paralajmërimeve të protestuesve se s’do t’i linin zyrtarët të dilnin nga aty pa miratimin përfundimtar të projektligjit.
PDK-ja kërkon që projektligji të procedohet sa më shpejt për votim përfundimtar në Kuvend.
Kurti dhe Hamza janë takuar edhe në fundjavë dhe sipas burimeve të Gazetës Express, kryetari i LVV-së ka kërkuar që fillimisht projektligji për Specialen të miratohet vetëm në lexim të parë, më pas Kuvendi të kalojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit dhe vetëm pas kësaj të procedohet leximi i dytë i projektligjit. Hamza, ndërkaq, ka kërkuar që projektligji të votohet përfundimisht dhe më pas të votohet për Presidentin.
Koha për një kompromis është e kufizuar, pasi sot është dita e fundit e afatit për zgjedhjen e Presidentit dhe dështimi për ta përmbyllur procesin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, që do të ishin të katërtat në dy vjet














