Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, e ka vlerësuar si një dëshmi të pjekurisë së lartë institucionale miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, si dhe zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së Kosovës.
Në një prononcim për IndeksOnline, Mustafa ka thënë se vendimet e marra në Kuvend, përfshirë miratimin e ndryshimeve në ligj me më shumë se dy të tretat e votave dhe zgjedhjen e presidentes, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm institucional.
“Miratimi nga Parlamenti me votë prej mbi dy të tretave i ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale me seli në Hagë dhe zgjedhja e Presidentes së Kosovës , akademike Justina Shiroka Pula, është një pjekuri e lartë institucionale.”, ka thënë ai për IndeksOnline.
Mustafa ka vënë në pah edhe numrin e votave me të cilat është zgjedhur presidentja, duke e cilësuar këtë si një tregues të mbështetjes së gjerë në Kuvend.
“Presidentja ka marrë 81 vota të Kuvendit, aq sa parashihen edhe për ndryshimet dhe miratimin e Kushtetutës. Është një personalitet me vlera të larta profesionale, intekektuale dhe njerëzore; ajo që në këto momente dhe jo vetëm në këto i nevojitet vendit tonë.”, ka theksuar ai.
Vlerësimi i Mustafës vjen në një moment të rëndësishëm institucional për Kosovën, teksa miratimi i ndryshimeve ligjore dhe zgjedhja e presidentes së re shihen prej tij si hapa që dëshmojnë funksionimin dhe pjekurinë e institucioneve të vendit.














