Kryeministrin Albin Kurti e neveriste fort Peter Feith, ish-Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe ish-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian. Për të, ish-diplomati holandez ishte “pjesë e sundimit kolonial” dhe ironikisht atë e quante “mbret të Kosovës”.
Sot, Kurti e ka pritur Faithin në zyrën e tij në Qeveri. Këtë herë, Kurti thotë se ai kishte synim të mirë që ishte në përputhje me dëshirën për liri. Takimi u zhvillua me rastin e shënimit të 10- vjetorit të përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
“Gjatë takimit rikujtuan 10 shtatorin e vitit 2012, kur Grupi Drejtues Ndërkombëtar shpalli përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për media.

Tani, Kurti e ka falënderuar Faithin për kontributin e dhënë dhe për prezencën e sot në shënimin e këtij përvjetori.
“Së bashku risollën në kujtesë edhe disa nga aktivitetet gjatë kohës sa Pieter Feith ishte Përfaqësues Civil Ndërkombëtar për Kosovën dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian, të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, sikurse posteri “Feith No More” e që sipas Feith ishte tregues i padurimit për të mbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë”, njoftoi ZKM-ja.
Kryeministri tani i ka folur atij për “progresin ekonomik dhe demokratik në vitin e fundit”, duke i treguar ndër tjerash, për ngritjen në Indeksin e Transparency International dhe në indeksin e lirisë së mediave.
“Z.Feith e falënderoi Kryeministrin dhe tha se ndjehet i nderuar nga ftesa për të qenë prezent në këtë përvjetor, duke rikujtuar se roli i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar ka qenë i dobishëm dhe i ka ndihmuar Kosovës në përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë, si dhe në krijimin e bazës kushtetuese për funksionimin normal të shtetit të ri”, tha ZKM-ja.












