Imami i Xhamisë së Vogël në Gjilan, Naser Halimi, është sulmuar nga qentë endacakë në orët e hershme të mëngjesit, teksa po shkonte në xhami për ta falur namazin e sabahut. Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor në emergjencë.
Rastin e ka bërë të ditur vetë imami përmes një postimi në Facebook, ku ka përshkruar përvojën e tij, duke thënë se përveç lëndimeve fizike, ka përjetuar edhe trauma nga sulmi.
Në reagimin e tij, imami u ka bërë thirrje institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa për trajtimin e qenve endacakë, duke vënë në pah rrezikun që, sipas tij, ata paraqesin për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Postimi i plotë:
Me prioritet jetën e Njeriut.
Sot në mëngjes, ka po shkoja për në xhami për ta falur namazin e sabahut, u sulmova nga qentë endacakë.
Si pasojë e sulmit të qenve, unë morra lëndime trupore, përgjakje, shtypje…!
Përveq lëndimeve në trup, kam fituar edhe trauma, ngase me të vërtetë ka qenë thuaja se një luftë fyt a fyt me qentë endacakë.
Në orët e hershme të mëngjesit mora trajtim nga stafi mjeksor i emergjencës të cilët i falenderoj për reagim dhe korrektësi!
Po ashtu, i falenderoj edhe disa qytetarë të cilët reaguan për ta ndaluar më të keqen e mundëshme.
Reagim: U bëj thirrje organëve kompetente që të merren seriozisht për trajtimin e qenve endacakë të cilët janë bërë rrezik potencial për jetën e qytetarëve!
N.H















