Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pranuar urime me rastin e zgjedhjes në detyrë nga presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Sipas njoftimit të Presidencës, presidenti finlandez, Alexander Stubb, i ka uruar Shiroka-Pulës sukses në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Në telegramin e urimit, presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, ka shprehur bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të vazhdojnë të forcohen.
Ajo ka riafirmuar mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në avancimin e parimeve demokratike, bashkëpunimit rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit, si dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni.
Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka uruar Shiroka-Pulën për zgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
Edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i ka përcjellë urimet e saj presidentes së Kosovës, duke shprehur besimin se udhëheqja e saj do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror.
Sipas Presidencës, Siljanovska-Davkova ka vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, si dhe ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve.














