Institucionet e Kosovës i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë dhe të kërkojë llogaridhënie nga Serbia, pas publikimit të pamjeve nga televizioni N1, ku Milan Radoiçiqi shihet pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit serb Aleksandër Vuçiq, para sallës ku u mbajt një tubim elektoral i partisë së tij në Kragujevc.
Qeveria e Kosovës, kryetarja e Kuvendit dhe ministri i Punëve të Jashtme e kanë cilësuar këtë si dëshmi të radhës të lidhjeve të tij me pushtetin serb, duke rikthyer në vëmendje sulmin e armatosur në Banjskë, për të cilin Radoiçiqi ka marrë përgjegjësinë.
Ata kanë kërkuar që thirrjet për drejtësi të shoqërohen me trysni konkrete ndaj Beogradit për dorëzimin e tij dhe të personave të tjerë të kërkuar për këtë sulm.
Qeveria e Kosovës ka thënë se prania e Milan Radoiçiqit në një tubim zgjedhor të listës së udhëhequr nga ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është “edhe një dëshmi tjetër e qartë” se sulmi në Banjskë të Zveçanit ishte “planifikuar, financuar dhe organizuar nga shteti i Serbisë”.
Kështu ka deklaruar Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në veri të vendit, në shtator të vitit 2023, gjatë të cilit u vra një polic. Radoiçiq e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se shfaqja e Radoiçiqit në tubime të tilla dëshmon se ai jo vetëm që qëndron i lirë në Serbi, por edhe pritet në rrethet e pushtetit, ndonëse e ka marrë publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ajo ka kërkuar edhe reagim të qartë nga bashkësia ndërkombëtare, duke vlerësuar se kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë duhet të shoqërohet me trysni konkrete ndaj autoriteteve serbe.
“Njeriu që mori publikisht përgjegjësinë për organizimin e këtij sulmi dhe që kërkohet ndërkombëtarisht, në vend që t’u dorëzohet autoriteteve të Kosovës, shfaqet lirshëm në tubimin e partisë në pushtet në Serbi. Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si mungesë e bashkëpunimit me drejtësinë. Prania e tij në rrethet e afërta me pushtetin ngre pyetje të drejtpërdrejta për përgjegjësinë politike të autoriteteve serbe, të cilat duhet t’i japin fund mbrojtjes së tij dhe ta dorëzojnë në Kosovë, ku duhet të përgjigjet për sulmin që organizoi. Një sjellje e tillë kërkon reagim të qartë edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kërkesa për dorëzimin e Radoiçiqit dhe të personave të tjerë të kërkuar për sulmin në Banjskë autoriteteve të Kosovës duhet të shoqërohet me trysni konkrete dhe pasoja për mosdorëzimin e tyre”.
“Çdo tolerim i mëtejshëm përçon mesazhin se një sulm terrorist mund të organizohet, të marrë jetë njerëzish dhe të mbetet pa ndëshkim, për sa kohë autorët gëzojnë mbrojtjen e pushtetit. Për Kosovën, drejtësia për Afrim Bunjakun dhe vënia para përgjegjësisë e organizatorëve të sulmit në Banjskë mbeten detyrim i patjetërsueshëm. Vendi i tyre është para gjykatave të Republikës së Kosovës. As koha e as afërsia me pushtetin në Beograd nuk do t’i amnistojnë ata që e përgatitën dhe e kryen sulmin”, ka reaguar Haxhiu.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen kur zyrtarët e saj po e sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Ai në një shkrim në rrjetin social “X”, ka përmendur deklaratën e zëvendëskryeministrit serb Ivica Daçiq, i cili gjatë një tubimi zgjedhor deklaroi se flamuri serb herët e vonë do të valëvitet në Prizren, si dhe pjesëmarrjen e kryeterroristit Milan Radoiçiq në tubimet e partisë së Aleksandar Vuçiqit.
“Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës u shfaqën hapur edhe një herë këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiq, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb ‘herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren’, një qytet në jug të Kosovës. Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit janë larg së qenit një çështje e së kaluarës. Vetëm dy ditë më vonë, Milan Radoiçiq – i cili kërkohet nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë që ai e organizoi – u shfaq krah Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc; aty, Vuçiqi kërcënoi sërish pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.
Sipas ministrit, këto nuk janë provokime të izoluara por nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike.
“Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresion të armatosur në praktikë. Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe organizatori i pranuar i sulmit vdekjeprurës terrorist në Banjskë mbetet i lirë, duke u shfaqur publikisht krah familjes së presidentit në vend që të përballet me drejtësinë”, ka shkruar ai.
Konjufca i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtarë t’i dënojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, ka shkruar tutje Konjufca. /Reporteri.net/.














