Agron Përçuku, asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë dhe ish drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit gjatë qeverisjes së Xhafer Tahiri, e ka kundërshtuar vendimin e një pjese të kryesisë të degës së LDK-së për përjashtimin e tij dhe dy kolegëve të tij.
Ai përmes një reagimi publik thotë se vendimi është marrë nga kryesia pa pasur kuorum, fakt për të cilin me dëshmi kishte raportuar edhe Veriu.info (https://veriu.info/ldk-e-vushtrrise-perjashton-3-asambliste-por-kryesia-e-deges-vendimin-e-mori-pa-pasur-kuorum/)
Postimi i Agron Përçukut:
Të nderuar qytetarë të Vushtrrisë,
Të nderuar aktivistë të LDK-së në Vushtrri,
Sonte, në orët e mbrëmjes, me urdhër të Xhafer Tahirit, janë mbledhur disa anëtarë të kryesisë së degës së LDK-së në Vushtrri, dhe kanë marrë vendim për “përjashtimin” e tre anëtarëve të LDK-së, përfshirë edhe mua dhe kolegët e mi Alban Bajramin dhe Behar Durakun.
Ky vendim është në kundërshtim me Statutin e LDK-së dhe atë si në vijim:
Neni 13 i Statutit përcakton se përjashtimi i një anëtari është kompetencë ekskluzive e Komisionit Disiplinor të Kryesisë së LDK-së në nivel qëndror dhe vetëm kur janë vërtetuar shkeljet disiplinore.
Sonte, Kryesia e degës së LDK-së e ka shkelur këtë nen.
Shkelja tjetër është se në këtë mbledhje nuk ka pasur kourum (50% + 1) për marrjen e një vendimi të tillë.
Kryesia e degës së LDK-së në Vushtrri ka 23 anëtarë, ndërsa sot në mbledhje kanë marrë pjesë vetëm 10 anëtarë. Rrjedhimisht, kryesia ka vepruar edhe në këtë rast në kundërshtim me Statutin.
Xhafer Tahiri me grupin e tij e ka uzurpuar degën e LDK-së në Vushtrri dhe me shantazhime ndaj një grupi të caktuar të anëtarëve të kryesisë, po merr vendime të kundërligjshme, për ta dëmtuar LDK-në sepse qëllimi i tij është pikërisht ky.
Komunikata e degës së LDK-së në Vushtrri është shkruar pikërisht nga “sekserët” e Xhafer Tahirit që përmenden në atë shkresë.
Avazin e territ sa ishte në udhëheqje të Komunës, Xhafer Tahiri me klikën e tij, po mundohen ta instalojnë në degën e LDK-së në Vushtrri, por e kanë të kot!
Në ditët në vijim, anëtarësia e mirëfillët e LDK-së, do të ua tregoj vendin.
Ne do të vazhdojmë me qenë pjesë e LDK-së deri sa nga LDK do ti ç’rrënjosim përfundimisht mbetjet e padëshiruara.
Agron Perçuku











